Në Kosovë, arrestohen dy zyrtarë publikë, njërit prej tyre i sekuestrohen 60 mijë euro

Prishtinë, 14 korrik 2023 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës konfirmoi se të premten janë arrestuar dy zyrtarë publikë, të dyshuar për veprën penale ”Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Të arrestuarit janë Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidro-ekonomike “Ibër-Lepenci dhe Hysen Muzliukaj, këshilltar i ministrit të Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria konfirmoi se Mujka e Muzliukaj janë arrestuar pas bastisjes së banesave të tyre, në njërën prej të cilave janë gjetur dhe sekuestruar 60.000 euro.

“Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera është gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë eurosh (60.000)”, thuhet në njoftim.

Mediet në Kosovë raportojnë se paratë janë gjetur në banesën e Mujkas.

Prokuroria Speciale bëri të ditur se në maj të vitit 2022 kishte pranuar informacione mbi dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, të cilët në atë kohë ishin pjesë e strukturës udhëheqëse në komunën e Mitrovicës Jugore.

Akuzat kundër dy të arrestuarit kanë të bëjnë me kohën kur ata ishin pjesë e udhëheqjes komunale, në vitin 2021. Atëherë Mujka ka qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës Jugore, kurse Muzliukaj ka qenë drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës Jugore.

(r.m.)