Në Kosovë, arrestohen shtatë të dyshuar lidhur me vrasjen e një zyrtari të EULEX-it më 2013

Prishtinë, 19 tetor 2025 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se shtatë persona janë arrestuar të dielën, gjatë operacionit policor të zhvilluar në komunën e Zveçanit dhe në komunën e Zubin Potokut.

“Gjatë operacionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar në Polici shtatë persona, dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Identiteti i të arrestuarve nuk është publikuar.

Prokuroria bëri të ditur se operacioni u zhvillua në kuadër të hetimit lidhur me vrasjen e zyrtarit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Audrius Senavicius, nga Lituania, në viitin 2013.

Sipas njoftimit, bastisjet janë kryer për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale: “rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to, vrasje e rëndë dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Gjatë bastisjeve në shtatë lokacione në Zubin Potok dhe në dy lokacione në Zveçan janë sekuestruar disa prova materiale për aktivitete kriminale të personave të arrestuar: dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike të ndryshme e të tjera.

Audrius Senavicius, nga Lituania, pjesëtar i Misionit për Sundim të Ligjit i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), është vrarë në krye të detyrës, në një pritë në rajonin e komunës së Zveçanit, më 19 shtator të vitit 2013. Ai po udhëtonte me njërën nga dy veturat e EULEX-it të cilat u sulmuan me armë derisa po ktheheshin nga pika kufitare me Serbinë në Jarinjë. Në atë sulm ishin plagosur edhe dy pjesëtarë të tjerë të EULEX-it.

Një ekip i përzier i hetuesve të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës kishin kryer hetime lidhur me vrasjen e Senaviciusit dhe plagosjen e dy kolegëve të tij. EULEX-i kishte ofruar edhe shpërblim monetar për këdo që mund të ofronte informata lidhur me sulmin.

Aksioni i policisë së Kosovës lidhur me vrasjen e Senaviciusit është përgëzuar nga misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë. 

“EULEX-i përgëzon organet e Kosovës për sundimin e ligjit për përpjekjet e tyre për t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë. Mezi presim të shohim një proces të drejtë e rigoroz ligjor që mund ta ndriçojë vrasjen mizore të një punëtori të pafajshëm të paqes”, ka thënë EULEX për KOHË-n. 

Ndërkaq, zyrtarë serbë në Kosovë dhe në Serbi e kanë cilësuar operacionin si pjesë të “presionit ndaj serbëve” në Kosovë.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se operacioni policor në veri kishte qëllim “frikësimin dhe krijimin e trazirave në mesin e familjeve serbe që kanë jetuar në këto zona për dekada të tëra”.

“Kjo ka të bëjë me hakmarrjen e [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurti kundër popullatës serbe në veri të Kosovës për shkak të fitore së serbëve në zgjedhjet e fundit [lokale], por edhe për shkak të nervozizmit të Prishtinës pas dështimit në zgjedhje, të cilin Kurti dëshiron ta kompensojë në kurriz të popullit serb”, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi, e cilësoi arrestimin e shtatë serbëve në Zubin Potok dhe në Zveçan si “pjesë të terrorit të organizuar” të  Qeverisë së Kosovës kundër serbëve.

Edhe kjo parti i akuzoi autoritetet e Kosovës për “hakmarrje politike ndaj popullit serbë në veri, pas fitores së Listës Serbe në zgjedhjet e fundit”.

“Duke pasur parasysh rundin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale dhe krizën në Prishtinë, i bëjmë thirrje popullit tonë të qëndrojë i qetë dhe i bashkuar, sepse e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. Asnjë veprim frikësues nuk do të thyejë shpirtin e popullit serb apo vendosmërinë tonë për të mbetur në vatrat tona shekullore, dhe na takon neve të ruajmë njëri-tjetrin dhe paqen që na nevojitet aq shumë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Vitet e fundit, sidomos pas sulmit të grupit terrorist serb në Banjskë dhe sulmit me eksploziv në kanalin e sistemit “Ibër-Lepenci” në Zubin Potok, në katër komunat në pjesën Veriore të Kosovës – Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq – janë arrestuar disa të dyshuar për vepra të ndryshme penale, më së shpeshti për akte kundër shtetit e rendit kushtetues të Kosovës. Gjatë operacioneve në këtë pjesë të Kosovës, janë gjetur sasi të konsiderueshme armësh, municionesh dhe pajisjesh luftarake.

(r.m.)