Prishtinë, 19 dhjetor 2025 – Shtatë persona janë arrestuar të enjten nën dyshimin për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe lidhet me dyshimet për kryerjen e veprave penale: korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.
“Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është zhvilluar një operacion policor në rajonin e Prishtinës, në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprave penale: korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit, mashtrim, armëmbajtje pa leje. Gjatë këtij aksioni policor janë arrestuar : F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në njoftim bëhet e ditur se të dyshuarit janë kapur në flagrancëm gjatë shkëmbimit të parave. Gjatë kontrollit janë sekuestruar: rreth 20 mijë (20.000) euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme, pajisje elektronike dhe tri vetura.

Shtatë të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Speciale.
Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike nën udhëheqjen e Prokurorit Special, pas një periudhe monitorimi dhe hetimi ndër të tjera me masa të veçanta hetimore.
Ndërkaq Policia e Kosovës njoftoi se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencës (AKI) dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se bëhet fjalë për arrestimin e disa zyrtarëve të lartë publikë e persona përgjegjës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.
Ai ka thënë se dyshohet që të arrestuarit “përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike”.
Sveçla ka treguar se të arrestuarit janë ose kanë qenë zyrtarë të lartë publikë. Ai i ka publikuar inicialet e të arrestuarve dhe pozitat zyrtare të tyre.
“Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I. Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai i ka përgëzuar institucionet kompetente për luftën që po bëjnka përgëzuar institucionet kompetente për luftën që po bëjnë kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Përgëzoj institucionet për këtë sukses të radhës në luftën pa kompromis kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit. Vullneti politik për t’i luftuar dukuritë negative, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai qytetar po japin rezultate konkrete për ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të pacenueshëm nga çfarëdo forme e krimit në vendin tonë”, ka shkruar Sveçla më tej”, ka shkruar Sveçla.
(r.m.)