Prishtinë, 2 gusht 2026 – Autoritetet ligjzbatuese të Kosovës e kanë arrestuar të dielën edhe një të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok,
Policia e Kosovës tha se i dyshyari me inicialet J.R. është arrestuar me urdhër të Prpokurorisë Speciale të Kosovës.
“Ai dyshohet se ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftim.
Policia tha se ai u kap pas një pune intensive hetimore për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë, por nuk dha informacione më të detajuara lidhur me të arrestuarin.
Ky është personi i tretë i arrestuar lidhur me dyshimet për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Zubin Potok. Dy ditë më parë atje u arrestuan edhe dy të dyshuar të tjerë, të dy pjesëtarë të komunitetit serb, pasi në fshatin Kalludër e Vogël u zbuluan mbetje njerëzore që besohet se u përkasin civilëve shqiptarë të vrarë në vitin 1999.
Ekipi i specialistëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovë ka filluar gërmimet në Kalludër të Vogël, ku dyshohet për një varr masiv. Raportohet se deri tashti janë gjetur eshtra të rreth 10 personave, të cilët dyshohet se i përkasin grupit të 23 shqiptarëve nga Mitrovica që ishin nisur drejt Malit të Zi. Personat që gjendeshin në këtë grup, të cilësuar si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” konsiderohen të zhdukur prej 19 prillit të vitit 1999.
Gërmimet në këtë lokacion nisën në fillim të javës, pas një hetimi rreth dyvjeçar dhe arrestimit të dy të dyshuarve të parë lidhur me rastin e Kalludrës së Vogël, me inicialet M.J dhe M.B.
Prokuroria dhe Policia nuk e publikun identitetin e të arrestuarve me qëllim që të mbrojë procesin hetimor, por bëri të ditur se hetimet lidhur me rastin kanë nisur në bazë të sinjalizuesve.
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) tha se sinjalizimi për varrezë masive të mundshme në Zubin Potok është bërë para më shumë se dy dekadash. Sipas FDH, informacioni i parë se në Kalludër të Vogë mund të ketë një varrezë masive ishte bërë publik më 7 janar 2013.
Të enjten, në Kralevë të Serbisë qendrore, është arrestuar një serb i Kosovës. Ranko Tepavac, 45 vjeç, nga Istogu akuzohet se ka bashkëpunuar me shërbimin informativ të Kosovës. Sipas organeve serbe të hetuesisë, për shkak të aktiviteteve të tij, në Kosovë janë arrestuar dy serbë të dyshuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Zobin Potok, në vitin 1999.
Policia e Kosovës tha se ka gjetur dëshmi se njëri nga të arrestuarit kishte qenë pjesëtar aktiv i ushtrisë jugosllave, në njësi e së cilës kishte vepruar në zonën rreth vendit ku po zhvillohen gërmimet.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për t’i hapur arkivat e ushtrisë e të policisë serbe për zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovës. Ai insistoi posaçërisht për happen e dosjes së Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka vepruar në pjesën veri-perëndimore të Kosovës në vitet 1998 e 1999.
“Dosja e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, në vitin 2014 është klasifikuar për tri dekada. Sipas Beogradit, ajo nuk mund të hapet deri në vitin 2044”, tha Kurti të shtunën, gjatë vizitës në lokacionin ku po bëhen gërmime për varrezë masive.
(r.m.)