Në Kosovë arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte

Prishtinë, 21 qershor 2023 – Policia e Kosovës njoftoi se të mërkurë, më 21 qershor, në Graçanicë afër Prishtinës, e ka arrestuar një serb të dyshar për krime lufte në Kosovë.

Sipas njoftimit, i arrestuari, i identifikuar me iniciale D.M, dyshohet për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile.

Ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, si gardian në burgun e Lipjanit, “në mënyrë sistematike, ka ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”.

Policia tha se gjatë kontrollit të shtëpisë së dyshuarit ka sekuestruar si prova materiale një revole, fishekë, një thikë ushtarake, një shufër metalike, si edhe dokumente, vendime e shënime dhe telefonin e tij personal.

Pas këtij arrestimi, serbët lokalë u mblodhën para stacionit policor në Graçanicë dhe për një kohë të shkurtër bllokuan rrugën kryesore Prishtinë-Gjilan që kalon nëpër këtë vndbanim me shumicë serbe. Ata kërkuan lirimin e të arrestuarit.

Për këtë arrestim kanë reaguar Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

Lista Serbe ka njooftuar se i arrestuari është Dragisha Millenkoviq. Ajo e ka cilësuar arrestimin “gjueti ndaj serbëve para syve të bashkësisë ndërkombëtare”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se arrestimi i Milenkoviqit është pjesë e planit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “për hakmarrje ndaj serbëve”.

Sipas të dhënave jotë plota, gjatë luftës në Kosovë janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1.600 persona, shumica prej të cilëve janë shqiptarë, nuk janë gjetur ende.

(r.m.)