Në Kosovë, arrestohet një zyrtar policor i dyshuar për spiunazh për Serbinë

Prishtinë, 16 korrik 2025 – Një zyrtar i Policisë së Kosovë, pjesëtar i komunitetit serb, është arrestuar të enjten, gjatë një aksioni të përbashkët të strukturave të sigurisë dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, në një fshat të kiomunës së Kamenicës, në zonën kufitare me Serbinë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se zyrtari policor Bojan Jevtiq, është arrestuar si i dyshuar për spiunazh për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë.

“Pas një hetimi të gjatë nga institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, sot është arrestuar zyrtari policor Bojan Jevtić, nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Profesionalizmi, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës edhe ketë here ka treguar se është thelbësor në arritjen e rezultateve në luftën ndaj veprimtarive të kundërligjshme në mënyrë specifike atyre të rrezikshmërisë së lart që shpesh herë burimin e kanë në strukturat e inteligjencës serbe”, ka shkruar ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se gjatë aksionit janë gjetur e sekuestruar prova materiale për veprimtarinë e kundërligjshme të policit të arrestuar.

“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë [17.072 euro], 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Speciale bëri të ditur se polici Bojan Jevtiq është ndaluar për 48 orë. Ajo pritet të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit për Jevtiqin.

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e togerit policor, i cili ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar me Serbinë “Dheu i Bardhë”.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se Jevtiq është i arrestuari i gjashtë për spiunazh për Serbinë.

“Ky është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë. Njëri nga të dyshuarit tashmë e ka pranuar fajësinë, duke konfirmuar seriozitetin, profesionalizmin e institucioneve si dhe përfshirjen e Serbisë në përpjekjet destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Në muajin qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me pesë vjet burgim Aleksandar Vllajiqin, i cili u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Aktualisht, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po gjykohen Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të cilët akuzohen se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe për masakrën e Reçakut. Në seancën e njohjes me aktakuzën ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër. Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.

Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm. Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, e konsideron spiunazhin si njërin prej kërcënimeve kryesore të sigurisë nacionale në Kosovë. Sipas tij, rastet e arrestimeve të të dyshuarve për spiunazh “tregojnë se sa e cenueshme është Kosova ndaj aktiviteteve të tilla të inteligjencës së huaj”.

Valdet Hoxha, ish-zëvendësministër i Brendshëm i Kosovës, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se vendet jomiqësore me Kosovën, sidomos Serbia dhe Rusia, kanë qëllim ta paraqesin Kosovën si “projekt të dështuar të Perëndimit”.

“Në këtë kontekst, natyrshëm, ato kanë synuar infiltrimin e njerëzve të tyre në mekanizmat e sigurisë, në mekanizmat e tjerë politikë”, ka thënë Hoxha.

(r.m)