Prishtinë, 26 gusht 2021 – Të enjten në Kosovë janë regjistruar edhe 18 viktima nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 2.295 raste të reja me koronavirus, bazuar në 12.406 mostra të testuara në laboratorët publikë dhe privatë.
Sëmundjen e kanë mundur edhe 1.183, ndërsa raste aktive janë 24.939.
Më herët, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi se në spitalet e Kosovës janë të shtrirë 995 pacientë të infektuar me koronavirus.
Sipas njoftimit 37 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 935 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.
Mjekët bëjnë thirrje për vaksinim pasi, sipas tyre, që prej nisjes së fushatës së imunizimit, asnjë person i vaksinuar në Kosovë nuk ka vdekur si pasojë e koronavirusit.
Deri më 26 gusht, Kosova ka administruar 747,898 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht janë 256.235 mijë persona. Një person konsiderohet i imunizuar plotësisht, 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.
(REL)