Prishtinë, 6 shtator 2021 – Në Kosovë vazhdojnë të mbeten të larta shifrat e viktimave të kosonavirusit. Ministria e Shëndetësisë njoftoi të hënën (6 shtator) se gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur edhe 28 persona të infektuar nga ky virus.
Sipas raportit, 14 nga viktimat ishin të gjinisë femrore dhe 14 të gjinisë mashkullore. Tetë viktima ishin të grupmoshës 60-69 vjeç, 7 të grupmoshës 70-79 vjeç, 6 të grupmoshës 50-59, 5 viktima të grupmoshës mbi 80 vjeç, kurse nga një viktimë ishin të grupmoshave 20-29 dhe 40-49 vjeç.
Informacion më shpresëdhënës është ai për uljen e shifrave të rasteve të reja pozitive me koronavirus. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në raportin ditor për situatën epidemiologjisë, njoftoi se gjatë 24orëve të fundit janë konfirmuar 489 raste të reja pozitive. Kjo shifër ka rezultuar nga testimi i 6.310 mostrave, që i bie se pozitivë në koronavirus kanë rezultuar 7.7 për qind e të testuarve. Kjo përqindje është gati përghysmë më e ulët se ato të javës së kaluar.
Por, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi se numri i të infektuarve që po kërkojnë trajtim në spitale vazhdon të mbetet ende i lartë. Sipas njoftimit, në spitalet Covid dhe në spitalet rajonale aktualisht janë dukeu trajtuar 1.115 pacientë me koronavirus. Prej tyre, më se 1.038 janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi, ndërsa 83 pacientë janë në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, në qendrat e vaksinimit në Prishtinë dhe në qendrat rajonale vazhdon procesi i imunizimit. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 315.880 persona janë vaksinuar me të dyja dozat deri të hënën.
(r.m.)