Në Kosovë, ngritet aktakuzë kundër një serbi të dyshuar për masakrën në burgun e Dubravës

Prishtinë, 29 nëntor 2023 – Prokuroria e Posaçme e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër një pjesëtari të komunitetit serb nën dyshimet për “krime lufte kundër popullsisë civile’’.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se G.M. “akuzohet se me 22 maj të vitit 1999, ka marr pjesë në vrasjen e njëqind e nëntë të burgosurve dhe në plagosjen e njëqind e tetë të burgosurve të tjerë, që të gjithë të përkatësisë kombëtare shqiptare, në ngjarjen e njohur si ‘Masakra e Dubravës”.

Në njoftim thuhet se nga hetimet janë siguruar prova të mjaftueshme juridike që dëshmojnë se “i pandehuri, në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”.

I akuzuari ndodhet në paraburgim që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka bërë të ditur se i arrestuari është Gavrillo Millosavleviq, i cili jeton afër Beogradit. Sipas njoftimit, ai “kishte shkuar në Kosovë për të raportuar për uzurpimin e pronës së tij”.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës bëri të ditur se edhe disa të dyshuar të tjerë janë duke u hetuar në mungesë, meqë janë të pa arritshëm për organet e rendit”.

Në masakrën e kryer në burgun e Dubravës, në maj të vitit 1999, janë vrarë 108 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur 109 të tjerë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, nga gjykatat vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë janë dënuar 70 veta për krime lufte.

(r.m.)