Në Kosovë nisin hetimet lidhur me pretendimet për keqpërdorime në tri ministri

Prishtinë, 2 qershor 2022 – Prokuroria e Posaçme e Kosovës njoftoi të enjten se ka nisur hetime lidhur me pretendime për korrupsion në radhët e institucioneve të vendit.

“Kanë nisur hetimet lidhur me pretendimet për afera korruptive në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, pa dhënë më shumë hollësi se për cilat institucione bëhet fjalë.

Hetimet nisën një ditë pasi Partia Demokratike e Kosovës, publikoi një dokument nëpërmjet të cilit pretendon se ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla – Shwarz dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, kanë shpenzuar kundërligjshëm mbi një milion euro nga buxheti i shtetit.

“Fjala është për një memorandum bashkëpunimi ndërmjet ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it zviceran, në bazë të të cilit buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në vlerën prej një milionë e 40 mijë eurove”, tha deputetja e kësaj partie, Ariana Musliu – Shoshi.

Ajo tha se kjo marrëveshje është tashmë duke u zbatuar me pëlqimin zyrtar të nënshkruar nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla – Shwarz, duke nënvizuar se në këtë rast janë ndarë fonde publike për një organizatë joqeveritare pa asnjë shpallje publike.

Zyra qendrore e organizatës “Caritas Kosova” nëpërmjet një reagimi të enjten ka thënë se “distancohet nga këto zhvillime dhe nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen në fjalë”.

Ministrja e Jashtme, zonja Gërvalla – Shwarz, nëpërmjet një reagimi të shkurtër në rrjetet sociale ka mohuar akuzat e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Jo 1.1 milionë euro, por as edhe 1.1 cent”, ka shkruar ajo.

Lidhur me këto zhvillime ka reaguar edhe këshilltari i ministrit të Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Florent Ramqaj, emri i të cilit u lakua për keqpërdorim në një emision në gazetën online “Nacionale”.

Ai i ka cilësuar si të pasakta dhe të pavërteta pretendimet, ndërsa u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë çdo dyshim mbi veprimtarinë e tij.

“Me krimin dhe korrupsionin që e kemi hasur në këtë ministri, kemi pritur sulme të tilla. Luftën me krimin e organizuar nuk e kemi menduar asnjëherë të lehtë. Sa me madhe lufta jonë, aq i madh sikleti i tyre”, shkroi zoti Ramqaj duke theksuar se tashmë është në përgatitje të ankesës dhe padisë për shpifje.

(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)