Prishtinë, 7 shtator 2021 – Ende nuk dihet sekur do të fillojë viti i ri shkollor në Kosovë. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillim, por vendimi nuk është në dorën e saj.
Fillimi i vitit të ri shkollor ishte paraparë për 1 shtator, por është shtyrë për 13 shtator, për shkak të situatës së rënduar të pandemisë së koronavirusit.
Kjo ka qenë temëdiskutimi në një takim virtual të ministres Nagavci me përfaqësues të drejtorive komunale të Arsimit, me përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës dhe të Këshillit të Prindërve.
Në një njoftim në Facebook, ministrja Nagavci ka thënë se vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor do të merret “duke i respektuar rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë”. Por, ajo nuk ka treguar se çfarë përgatitjesh janë bërë dhe si do të zhvillohet procesi mësimor – me prani fizike të nënësve në shkolla apo online.
Kryetari i Kolegjiumit të Drejtorive Komunale të Arsimit, Besim Avdimetaj, ka thënë se një përqindje e lartë e mësimdhënësve tashmë janë vaksinuar kundër koronavirusit, por ka theksuar se vendimi përfillimin e vitit të ri shkollor do të merret në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit.
Më 3 shtator, zëvendësministri i Arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci, ka thënë se deri më tani janë vaksinuar 77 për qind e mësimdhënësve.
(r.m.)