Prishtinë, 14 tetor 2022 – Partitë opozitare në Kosovë janë shprehur të zhgënjyera me vendosjen e kushteve të reja për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke argumentuar se vendi për një kohë të gjatë ka përmbushur kriteret për këtë proces.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kanë kërkuar që institucionet shtetërore të ndërmarrin veprime që shteti të lëvizë drejt integrimit evropian.
Xhafer Tahiri nga LDK, gjatë një konference për media më 14 tetor, tha se është e padrejtë që shtetasit e Kosovës vazhdojnë të jenë të vetmit në rajon që nuk mund të lëvizin pa viza në zonën Shengen.
“Mua më shqetëson fakti nëse Qeveria e Kosovës nuk ka pasur informacion mbi kërkesat e reja të shteteve anëtare të BE-së, qoftë edhe kërkesa teknike, sepse kërkesa të tilla nuk bëhen aty për aty në takime. Kjo lë të kuptohet që Qeveria jonë nuk ka zhvilluar mjaftueshëm dialog me vendet anëtare veç e veç, por po ashtu e vërteton faktin se Qeveria është pa strategji në politikë të jashtme dhe këtë e kemi thënë shumë herë”, tha Tahiri.
Më 13 tetor, në takimin e grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, Radio Evropa e Lirë mësoi se zyrtarët francezë kanë propozuar që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Kjo ide e Francës është mbështetur edhe nga Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.
Më 2018, pas përmbushjes së kritereve, Komisioni Evropian kishte rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, kritikoi Qeverinë dhe Kuvendin, pasi siç tha ai, këto institucione nuk kanë bërë asnjë komunikim zyrtar që të kërkojnë nga institucionet përgjegjëse në pyetjen “pse po bëhet ky diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës”.
“Dje u vendos edhe një kusht, nesër do të dalë edhe një shtet tjetër dhe do të vendosë edhe një kusht. Ky trajtim jodinjitoz i Kosovës duhet të ndalohet. Drejtimi ynë dihet, është pro-perëndimor”, tha ai.
Tahiri tha e Kuvendi dhe Qeveria duhet të dërgojnë porosinë te secili vendimmarrës në BE për orientimin pro-perëndimor të Kosovës dhe shtoi se “nëse kryeministri i Kosovës e ka ndonjë kusht, duhet t’i tregojë popullit të tij, në qoftë se jo, duhet ta trajtojë këtë çështje seriozisht”.
Por, shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se nuk ka konfirmim zyrtar për kërkesat apo kushtet e tjera teknike për çështjen e liberalizimit.
“Në këtë proces, gjithashtu nuk ka asnjë dyshim që të themi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave për qytetarët e saj dhe tashmë duhet të jemi bashkëpunues dhe të fokusohemi në ato punë, në ato angazhime të cilat ne na presin ne në Kosovë. Unë besoj se procesi, si i tillë, do të vazhdojë në rrugën e vet dhe Kosova pashmangshëm është në një udhëtim njëdrejtimësh, do të thotë integrimi i Kosovës në BE nuk ka alternativë dhe ky është qëndrimi ynë në të gjitha funksionet që i ushtrojmë, qoftë në legjislativ apo në ekzekutiv”, tha Kusari-Lila pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Ndërkaq, edhe presidenca çeke e BE-së tha pas takimit të 13 tetorit se në mënyrë që të ecet para në procesin e liberalizimit të vizave, “është e domosdoshme që të qartësohen disa çështje, dhe të vazhdohet me diskutimet”.
Takimi i radhës i grupit punues për vizat është paraparë të mbahet në nëntor.
Ndryshe, ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen.
ETIAS është kërkuar që të funksionalizohet pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën me migrantë në Evropë.
Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.
(REL)