Në Kosovë, paralajmërohen masa të reja kundër pandemisë

Prishtinë, 6 gusht 2021 – Javën e ardhshme, në Kosovë pritet të hyjnë në fuqi masat e reja kundër përhapjes së koronavirusit.

Sektori i gastronomisë ka paralajmëruar se ndër këto masa pritet të përfshihet edhe dëshmia e vaksinimit për të marrë pjesë në disa aktivitete publike.

Zyrtarë të Shoqatës së Gastronomëve dhe Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, pas takimeve që kanë pasur me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, thanë se, përveç qytetarëve, edhe stafit të sektorit të gastronomisë do t’i kërkohet të dëshmojnë se janë vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës.

“Çdo qytetar i Kosovës, në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqëror, qoftë në qendra tregtare, në klube të natës apo në ahengje familjare, obligohet të marrë vaksinën anti-COVID, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që ta kenë të përfunduar të paktën dozën e pare të vaksinës, përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, njoftoi Oda e Hotelierisë dhe Turizmit.

Ndërkaq, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës paralajmëroi se së shpejti do të ketë ndryshime edhe në orarin e punës të bizneseve tw hotelierisë  dhe gastronomisë.

“Orari i operimit të bizneseve do të rritet deri në ora 12:00 të mesnatës, sipas rregulloreve komunale, e po ashtu vlen e njëjta edhe për klubet e natës të cilat do të funksionojnë deri në ora 03:00 të mëngjesit, duke mundësuar një operim më të lehtë për të gjitha domenet e gastronomisë”, njoftoi kjo shoqatë.

Nga Ministria e Shëndetësisë ende nuk kanë konfirmuar këto masa të reja, por ministri Vitia, gjatë seancës plenare të së premtes, paralajmëroi se janë duke shqyrtuar masat e reja kundër pandemisë.

Ditëve të fundit, në Kosovë janë rritur rastet me koronavirus dhe të premten Kosova regjistroi 271 raste të reja me COVID-19. Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë bërë të ditur se rreth 90 për qind e rasteve në Kosovë janë me variantin Delta.

Varianti Delta, që është bërë dominues në Kosovë, është më ngjitës. Por, studimet e fundit sugjerojnë se personat e vaksinuar, në rast se infektohen me këtë variant, kanë simptoma më të buta të sëmundjes COVID-19.

(REL)