Prishtinë, 12 tetor 2025 – Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe për anëtarë të kuvendeve komunale.
Për zgjedhjet lokale janë certifikuar 5.626 kandidatë – 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe 5.420 kandidatë për ulëse në kuvendet e komunave.
Për garë janë certifikuar 93 subjekte politike – 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Zgjedhjet po zhvillohen në 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bëri të ditur se të gjitha vendvotimet janë hapur e kohë dhe procesi po zhvillohet pa ndonjë problem serioz. Vendvotimet do të mbyllen në orën 19:00 ose pas votimit të votuesve që mund të gjenden para vendvotimeve në këtë orë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën e parë për medie, tha se materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit. Ai tha se në ndonjë vendvotim mund të ketë pasur vetëm ndonjë vonesë të vogël për arsye teknike.
Elezi theksoi se KQZ-ja i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur problemet teknike me platformën e rezultateve preliminare, prandaj rezultatet paraprake të zgjedhjeve pritet të publikohen pak kohë pas numërimit të votave në qendrat e votimit.
KQZ tha se rezultatet zyrtare të zgjedhjeve do të publikohen brenda 48 orëve pas mbylljes së votimit.
Procesi i votimit me postë të qytetarëve që votojnë nga jashtë vendit, i cili kishte nisur më 17 shtator, ka përfunduar një ditë më parë, më 11 tetor.
Nga raportimet e medieve merret vesh se disa votues janë ankuar për ndërrimet e qendrave të votimit, ndonëse KQZ-ja e kishte krijuar me kohë mundësinë e verifikimit të vendvotimeve të të gjithë votuesve.
Radoniqi: KQZ-ja ka marrë masa që të mos përsëriten problemet e 9 shkurtit

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, e ushtroi të drejtën e votës në një qendër votimi në Pejë.
Pas votimit, ai tha se KQZ-ja ka marrë të gjitha masat që të mos përsëriten problemet e ngjashme me ato të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, kur platforma e publikimit të rezultateve ka pasur pengesa të vazhdueshme.
“Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën, ku presim të dalim me rezultatet preliminare. Gjithashtu, edhe qendrat komunale të numërimit janë të pajisura me të gjitha pajisjet për numërim”, tha Radoniqi.
Prokuroria garanton mbrojtjen e votës në zgjedhjet lokale
Prokuroria e Shtetit tha se për zgjedhjet lokale që po mbahen sot i ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë prokurorialë, të cilët do të punojnë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës njoftoi se prokurorët janë në zyrat e prokurorive ose në stacionet policore, duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të parandaluar çdo parregullsi.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, e cila e mbikëqyr zbatimin e detyrave të prokurorëve, u bëri thirrje qytetarëve, subjekteve politike dhe institucioneve kompetente që të raportojnë për çdo rast dyshimi për manipulim të votës.
Osmani: Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më e fortë demokracia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, votoi pak pas orës 10:00 në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë. Pas hedhjes së votës, ajo deklaroi se zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme për demokracinë në vend dhe u bëri thirrje qytetarëve që të shkojnë të votojnë.
“Sa më e madhe pjesëmarrja dhe sa më i rregullt procesi, aq më e fortë është demokracia jonë. Pres që ky të jetë një proces me rezultate në të mirë të qytetarëve tanë”, tha Osmani.
Ajo theksoi se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithçka për të garantuar të drejtën e votës për të gjithë qytetarët. Po ashtu, përsëriti se Serbia do të përpiqet të ndërhyjë në proceset zgjedhore në Kosovë, siç ka bërë gjithmonë në zgjedhjet e mbajtura në Kosovë.
Kurti fton qytetarët të dalin për të votuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, votoi rreth orës 9:00 në një qendër votimi në Prishtinë. Pas votimit, në një deklaratë për medie, edhe ai u bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të votojnë, duke theksuar se pjesëmarrja në votim do të thotë përfshirje në procesin e vendimarrjes në komunat e tyre.
“Votojmë për të vendosur për katër vjetët e ardhshëm në komunat tona. Përveçse qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi edhe banorë të komunës. I ftoj të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë”, tha ai.
Kurti e përcolli këtë mesazh edhe në gjuhën serbe dhe në gjuhën angleze.
Thirrjet për pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje kanë bërë edhe liderët e partive politike, koalicioneve e subjekteve të certifikuara për zgjedhje.
(r.m.)