Në Mal të Zi u mbajt një protestë kundër kryetarit të parlamentit Andrija Mandiç

Podgoricë, 7 mars 2024 – Në kryeqytetin historik të Malit të Zi, në Cetinë, të enjten, një grup qytetarësh protestuan kundër kryeparlamentarit Adrija Mandiç, i cili mori pjesë në seancën e parë të sesionit pranveror të Kuvendit të Malit të Zi, e cila tradicionalisht mbahet në këtë qytet, raportoi Zëri i Amerikës.

“Ne u mblodhëm këtu në Cetinën liridashëse për të protestuar kundër Andrija Mandiçit. Ne e dimë se me kë është dhe kë e mbështet ai. Ky popull nuk e meriton këtë,”, tha Radovan Peroviç, njëri nga organizatorët e protestës.

Zoti Peroviç tha se kryetari i parlamentit, Mandiç, i mohon komunitetet tjera që jetojnë në Malin e Zi.

“Ata e prishën të gjithë historinë. Mandiç është kundër Malit të Zi të pavarur. Ai i mohon malazezët, kroatët, shqiptarët, myslimanët. Idhujt e tij janë Karaxhiçi dhe Mladiçi, kriminelët e luftës, me në krye Sheshelin”, tha ai.

Protestuesit u bënë thirrje partive qytetare që “të tregojnë se janë antifashistë dhe të votojnë për shkarkimin e Mandiçit”.

Ata mbanin pankarta me mbishkrimet kundër kryeparlamentarit dhe kundër politikës pro-serbe dhe pro-ruse që ai dhe ithtarët e tij po e ndjekin në Mal të Zi.

Në Cetinë është shtuar prania e policisë dhe pjesë e qytetit është bllokuar.

Kundër pranisë së madhe të forcave policore ka reaguar edhe kryetari i komunës së Cetinës, Nikolla Gjurashkoviq. Ai e cilësoi si skandaloz rrethimin policor për shkak të një proteste paqësore të qytetarëve.

Sipas ligjit dhe traditës, çdo mbledhje e parë e sesionit pranveror nis në kryeqytetin historik të Malit të Zi, në Cetinë, për të vazhduar pastaj në Podgoricë.

Kryetari i parlamentit, Andrija Mandiç, ditë më parë e priti në Podgoricë presidentin e Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, gjë që shkaktoi reagime të shumta në Malin e Zi.

Kjo ishte njëra nga arsyet që i nxiti partitë opozitare të ndërmerrnin nismën për shkarkimin e Mandiçit nga kreu i parlamentit, duke gjykuar se ai “abuzoi rëndë për interesa partiake, nacionaliste dhe antievropiane”.

Mbledhja e parë e rregullt e sesionit pranveror të parlamentit të Malit të Zi, në Cetinë, u ndërpre për disa minuta, pas një përlasjes verbale dhe gati fizike mes përfaqësuesit të Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, Oskar Huter, dhe deputetëve të koalicionit pro-serb dhe pro-rus “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” të Andrija Mandiçit.

Megjithatë, në këtë séance u miratua marrëveshja ndërmjet qeverive të Malit të Zi dhe Shqipërisë për ndërtimin e përbashkët të një ure ndërkufitare mbi lumin Buna, në Shën Koll, e cila do të lidhë bregdetin e Ulqinit me atë të Velipojës.

Marrëveshja për ndërtimin e p٥rbashkët të kësaj ure ishte nënshkruar në muajin shkurt të vitit 2023 nga kryeministri i atëhershëm i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Malit të Zi u miratua edhe marrëveshja ndërkombëtare për ndërtimin e urës ndërkufitare midis Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës mbi lumin Tara.

(r.m.)