Shkup, 24 gusht 2021 – Maqedonia e Veriut të martën (24 gusht) ka regjistruar 32 të vdekur me COVID-19, që shënon numrin më të lartë të viktimave në gjashtë muajt e fundit të përballjes me pandeminë.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në Shkup janë evidentuar tetë të vdekur, nga gjashtë në Gostivar dhe Tetovë, tre në Kumanovë, dy në Kërçovë dhe nga një në shtatë qytete tjera.
Numri i përgjithshëm i viktimave me COVID-19 ka arritur në 5.727 persona.
Ndërkohë, sipas raportit të publikuar të martën në mbrëmje, nga testimi i 7,084 mostrave janë diagnostikuar 1,210 persona si të infektuar me koronavirus, shumica prej të cilëve në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Kërçovë dhe Strugë.
Sipas të dhënave, numri i rasteve aktive me COVID-19 ka shkuar në 11.769 persona.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen që mbajti të martën pasdite miratoi ndryshimet në masat për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, të cilat lejojnë organizimin dhe mbajtjen e garave sportive me praninë e publikut, ngjarjet kulturore, punën e restoranteve, kafeneve, bastoreve, koncertet, seminaret, punëtori dhe ngjarje të tjera brenda hapësirave të brendshme me 30 për qind të kapacitetit dhe në hapësira të jashtme deri në 50 për qind, në përputhje me protokollet dhe masat për mbrojtjen nga COVID-19.
Sipas vendimit, në këto ngjarje nuk do të mund të marr pjesë asnjë qytetar pa certifikatë për vaksinimin me të paktën dozën e parë ose certifikatës për kalimin e sëmundjes jo më të vjetër se 45 ditë nga dita e shërimit.
Mbeten në fuqi ndalimi i mbajtjes së dasmave dhe festimeve të tjera private në pjesët e mbyllura të objekteve të hotelerisë.
Sipas vendimit të Qeverisë, nga 1 shtatori 2021, shtetasit maqedonasë dhe të huaj do të lejohen të hyjnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut vetëm nëse kanë certifikatë vaksinimi, nëse kanë vërtetim se kanë kaluar sëmundjen apo nëse kanë vërtetim për testin PCR- jo më të vjetër se 72 orë.
(Isuf Kadriu, REL)