Shkup, 3 shtator 2021 – Maqedonia e Veriut, të premten ka regjistruar edhe 26 viktima me COVID-19 duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 6.013 persona.
Nga testimi i 5.865 mostrave, pozitivë me COVID-19 kanë dalë 722 persona, me çka numri i përgjithshëm i rasteve aktive ka arritur në 14.998.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në Shkup janë regjistruar gjashtë të vdekur dhe pesë në Tetovë. Nga tri viktima janë regjistruar në Kumanovë dhe Gostivar, nga dy në Strugë dhe Kërçovë ndërsa nga një në qytetet e Ohrit, Shtipit, Strumicës dhe Kriva Pallankës.
Ministria e Shëndetësisë ka dalë edhe me një raport mbi numrin e viktimave në katër javët e fundit, dhe sipas të dhënave, prijnë qytetet ku numri i të vaksinuarve është shumë i ulët në përqindje.
Gjatë kësaj periudhe, 480 persona të infektuar me koronavirus kanë vdekur dhe prej tyre 429 nuk ishin të vaksinuar.
Prej tyre, në Tetovë janë regjistruar 106 viktima ndërsa në Gostivar 73. Në qytetet ku përqindja e vaksinimit është e lartë, numri i viktimave është shumë i ulët, mes një dhe tre të vdekur.
Ministria e Arsimit ndërkohë ka njoftuar edhe për 14 nxënës të infektuar me koronavirus, por nuk ka dhënë detaje për vendin dhe shkollat ku janë regjistruar rastet.
Infektimet vijnë tre ditë pas fillimit të vitit të ri shkollor me prani fizike, por ministrja e Arsimit, Milla Carovska ka thënë se infektimeve nuk kanë ndodhur në shkolla, por se nxënësit kanë pasur COVID-19 para se të nisnin vitin e ri shkollor.
“Shërbimet epidemiologjike dhe Inspektorati Shëndetësor kanë dalë në terren dhe po veprojnë në bazë të protokolleve. Por, ky numër nuk është i lartë dhe përbënë vetëm se 0.01 për qind të numrit të përgjithshëm të nxënësve në shtet. Shpresoj që kjo përqindje të mbetet e njëjtë. Nuk kemi nxënës të infektuar në shkolla dhe ende nuk kemi përhapje të virusit brenda hapësirave shkollore”, ka deklaruar Carovska.
Ajo i ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve të tyre që të respektojnë masat, të cilat jo vetëm që janë në mirën e tyre, për ruajtjen e shëndetit, por edhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor me prani fizike.
(Isuf Kadriu, REL)