Në Maqedoninë e Veriut nis fushata për zgjedhjet presidenciale

Shkup, 4 prill 2024 – Në Maqedoninë e Veriut të enjten ka nisur fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në dy runde zgjedhore, më 24 prill dhe 8 maj.

Në garë për kreun e shtetit marrin pjesë gjithsej shtatë kandidatë nga katër koalicione dhe tri parti politike.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, garon edhe për një mandat me propozim të Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, që është në koalicion me disa parti tjera politike.

Gordana Siljanovska Davkova është kandidate e VMRO DPMNE-së opozitare, e cila po ashtu është në koalicion me disa parti politike.

Fushatën zgjedhore e kanë nisur edhe dy kandidatët shqiptarë, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) dhe Arben Taravari, kandidat i koalicionit VLEN, që përbëhet nga katër parti opozitare shqiptare.

Kandidatë për president janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetar i Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë E Majta.

Presidenti në Maqedoninë e Veriut ka kompetenca të kufizuara. Ai është komandant i përgjithshëm i Armatës, dekreton mandatarin për formimin e qeverisë dhe të ambasadorëve jashtë vendit, bën disa emërime në organet gjyqësore dhe në organet e sigurisë, por ata duhet të miratohen edhe në Kuvend.

Pavarësisht kësaj, në konventat partiake dhe tubime tjera disa nga kandidatët për president kanë folur edhe për çështje që nuk janë në fushën e tyre, por në fokus kishin çështjet e politikës së jashtme, integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, sundimin e ligjit, forcimin e demokracisë e çështje tjera.

“Në javët e ardhshme qytetarët tanë do të gjenden para dilemave të njëjta sikur edhe shumë vite më parë, që t’ua japin besimin kuazi-patriotëve apo atyre që treguan se dinë dhe munden ta pozicionojnë Maqedoninë [e Veriut]në vendin e duhur. Atyre që dinë t’i mbrojnë interesat shtetërore në botë, atje ku të mëdhenjtë diktojnë rregullat”, tha Stevo Pendarovski.

Bujar Osmani, nga BDI-ja, në tubimin e promovimit të tij si kandidat për president tha se integrimi evropian është “shtylla” kryesore e programit të tij.

“Jam shumë i qartë në perspektivat e reja se ku duhet të fokusohemi për t’i hequr barrierat që na mbajnë ende jashtë rrugës së progresit dhe zhvillimit që ofron shekulli XXI. Përkushtimi im për këto është dhe do të jetë i pathyeshëm. Njerëzit tanë, fëmijët tanë e meritojmë të ardhmen evropiane. Ne ua kemi borxh që ta ndërtojmë atë dhe ju premtoj se do ta ndërtojmë”, u shpreh Osmani.

Kandidatja e VMRO DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova tha se do të angazhohet për “pajtim dhe unitet”, si dhe për “aleanca të reja”, pa saktësuar se cilat janë ato.

“Unë dua të ju siguroj se do t’i mat fjalët dhe dua t’ju bind se do të ndërtojmë aleanca, se do të integroj dhe jo dezintegroj. Ne kemi parë se ku na çuan ndarjet. Ato e bënë këtë shtet që t’i ngjajë një arene gladiatorësh. Të tjerët nuk janë armiku unë, por partner, për çfarëdo qoftë çështje”, theksoi Davkovska.

Kandidati i opozitës shqiptare, Arben Taravari, gjatë prezantimit të programit presidencial, tha se prioritet i tij është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në të, që është kriteri për integrim në BE.

“Integrimi në BE është synimi i yni i padiskutueshëm. Do të kërkojmë garanci nga përfaqësuesi i lartë i BE-së se pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të këtë kërkesa shtesë për Maqedoninë e Veriut përtej kornizës negociuese të vitit 2022. Mandati për formimin e qeverisë do t’i besohet partisë apo partive që dëshmojnë se kanë shumicën në Kuvend duke kërkuar nga mandatari plan për realizimin e ndryshimeve kushtetuese”, tha Taravari.

Sipas dispozitave ligjore, në rundin e parë, president mund të zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave nga numri i përgjithshëm i trupit votues, që arrin 1.8 milion zgjedhës.

Në rundin e dytë, më 24 prill, kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, ndërsa zgjidhet ai që arrin të sigurojë mbi gjysmën e votave të atyre që kanë dalë në votime, me kusht që pjesëmarrja të jetë 40 për qind e trupit votues.

(Radio Evropa e Lirë)