Në Maqedoninë e Veriut, varësia nga importi e rrit shkallën e inflacionit

Shkup, 7 gusht 2023 – Çmimet e larta vazhdojnë ta mbajnë Maqedoninë e Veriut në krye të listës për sa i përket inflacionit, krahasuar me vendet e Evropës dhe rajonit. Në bazë të Entit Shtetëror të Statistikave, inflacioni në vend arrin në rreth 10 për qind.

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut nuk arrin të rikuperohet nga goditjet që mori nga kriza e pandemisë COVID-19, më pas dhe kriza energjetike pas agresionit rus në Ukrainë që çoi në rritjen e çmimeve në bursën botërore me këtë dhe rritjen e inflacionit.

Ndryshe nga realiteti i Maqedonisë së Veriut të dhënat e Agjencisë Evropiane të statistikave, Eurostat, tregojnë se mesatarja e inflacioni në vendet e Bashkimit Evropian është dyfish më e ulët, 5.3 për qind megjithëse në fillim të vitit 2022 inflacioni në vendet e BE-së kishte arritur në 9 për qind.

Qytetarët thonë se mendojnë dy herë para se të blejnë

Rritja e çmimeve i ka dhënë goditje të madhe buxhetit familjar. Më shumë se 50 për qind e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut në anketën e realizuar nga Instituti Nacional Demokratik (NDI) theksojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar.

Angela Dimitrevska, teksa bën pazar në tregun e gjelbër të Shkupit, thotë se tani mendon disa herë nëse do të marrë gjysmë kilogrami domate dhe speca sa për të bërë një gjellë vere, kurse frutat thotë se i merr me copë.

“Duke marrë parasysh rritjen e çmimeve, shpenzimeve për jetesë, janë bërë luks edhe gjërat më elementare. Ja po marr dy kajsi dhe dy pjeshkë t’i kemi me bashkëshortin. 100 denarë (1.5 euro) kanë shkuar kajsitë, përderisa një kilogram pjeshkë është 70 denarë (6.2 euro)”, shprehet ajo.

“Tashmë të gjitha çmimet kanë shënuar rritje, ndërkohë standardi i jetesës nuk përputhet me pagat që marrim, pagën minimale, pasi duket qartazi se ka devalvuar denari”, thotë Ivana e cila punon si shitëse.

“Njëherë paguaj faturat, më pas ilaçet pasi jam në moshë, dhe çka mbetet për ushqim, me pensionet që marr me plakën, asgjë nuk mbetet për ushqim. Për luks as që bëhet fjalë. Shihni shalqiri akoma është 30 denarë për kilogram (50 centë) një shalqi 10 kilogramësh kushton 300 denarë (5 euro) pasi shalqiri vjen nga jashtë. Kjo është turp për një shtet si Maqedonia (e Veriut) me gjithë atë tokë bujqësore”, thotë Dragan Mirkovski, pensionist.

Politikat e gabuara të Qeverisë pamundësojnë uljen e inflacionit

Arben Halili, ish-drejtor i Odës Ekonomike Veri-Perëndimore, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës, thotë se politikat e gabuara ekonomike të Qeverisë, përkatësisht moskoordinimi në shkallën e duhur i politikës monetare dhe asaj fiskale gjatë periudhës së krizës ka diktuar vlerat e larta të inflacionit.

“Në vazhdimësi kemi theksuar se stabilizimi i sektorit privat është çelësi kyç që mundëson, jo vetëm punëdhënien të rinjve, gjeneratave të afta dhe të kualifikuara për punë, por njëkohësisht kontribuon në zhvillimin e sektorit ekonomik, po edhe të shërbimeve përmes taksave dhe tatimeve të ndryshme kjo kontribuon dhe në uljen e inflacionit”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL), Halili.

Ulja e prodhimit vendas e mban lart shkallën e inflacionit

Visar Ademi, ekspert i Ekonomisë, thotë për REL-in se inflacioni i lartë është si rrjedhojë e varësisë së ekonomisë së vendit nga importi, kryesisht të produkteve bujqësore.

“Kemi shkatërruar prodhimin vendas, e po t’i shtosh kësaj edhe politikën kriminale të subvencioneve bujqësore, të tregon se po importon ushqime dhe interesa të larta të inflacionit. Përgjegjëse për këtë natyrisht që është Qeveria pasi nuk po reagon si duhet” thotë Ademi.

Shkalla e lartë e inflacionit ka nxitur dhe reagimin e pozitës maqedonase, e cila thekson se inflacioni ka zhvlerësuar denarin me atë “çka më parë mund të blihej me 500 denarë, tani nuk mundet as me 1.000 denarë”, duke ulur fuqinë blerëse.

Nga Qeveria janë arsyetuar se ekonomia e vendit ec në drejtimin e duhur me vetë faktin se inflacioni në bazë të Entit Shtetëror të Statistikave në tetor të vitit 2022 ishte 19.8 për qind tani shkalla e inflacionit është përgjysmuar.

(Zërijeta Hajro Jajaga, REL)