Në Mitrovicën e Veriut mbyllet kompania paralele serbe “Ujësjellësi Ibar”, reagon Beogradi

Prishtinë / Beograd, 13 maj 2025 – Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur sot kompaninë publike “Ujësjellësi Ibar” në Mitrovicën e Veriut, e cila vepronte në kuadër të sistemit paralel serb.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se mbyllja e kësaj kompanie publike është bërë me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes Kompanjës Rajonale të Ujësjellësit të Mitrovicës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, në janar të këtij viti.

“Në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti mes KRU Mitrovicës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, shërbimet e rregullta e më cilësore për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut do të ofrohen nga KRU Mitrovica, me standarde më të larta dhe në përputhje të plotë me ligjet tona. Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe falënderoj KRU Mitrovicën për gatishmërinë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.

“Ky është një hap konkret që i shërben sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet e shtetit tonë”, ka theksuar ajo.

Portali “Kossev” raporton se në hyrje të ndërtesës ku ka vepruar kompania paralele “Ujësjellësi Ibar” është vendosur tabela Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica sh.a. në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht. Në hyrje janë vendosur edhe flamuri I Kosovës dhe flamuri I KRU Mitrovica.

Drejtori i KRU Mitrovica, Bashkim Kurti, ka bërë të ditur se punëtorëve që deri më tani kanë punuar në kompaninë paralele “Ujësjellësi Ibar” do të vazhdojnë të bëjnë të njëjtën punë, si punëtorë të kompanisë KRU Mitrovica.

Kurti ka deklaruar se KRU Mitrovica po i merr përsipër detyrat dhe përgjegjësitë që burojnë nga marrëveshja me katër komunat veriore të Kosovës. Ai ka thënë se KRU Mitrovica është e vetmja kompani e licensuar për sigurimin dhe shpërndarjen e ujit në këto katër komuna.

Kundër mbylljes së kompanisë ilegale “Ujësjellësi Ibar” ka reaguar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë. Kjo parti që kontrollohet nga Beogradi zyrtar, nëpërmjet një letre drejtuar faktorit ndërkombëtar, ka thënë se veprimet e “njëanshme” si ky i mbylljes së kompanisë “Ibar” nuk kontyribuojnë për stabilizimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës.

“Ky akt përfaqëson një tjetër në vargun e veprimeve të njëanshme dhe provokuese, të cilat në vend se të kontribuojnë në stabilizimin e situatës, thellojnë tensionet dhe shkaktojnë frikë të justifikuar tek popullata”, thuhet në letër, drejtuar ambasadave të vendeve të QUINT-it dhe përfaqësive tjera ndërkombëtare në Kosovë.

“Qytetarët janë me të drejtë të shqetësuar për sigurinë dhe furnizimin e rregullt me ujë, veçanërisht të institucioneve shëndetësore dhe konvikteve studentore. Nëse veprime të tilla vazhdojnë, ekziston rreziku real për pasoja serioze humanitare dhe shëndetësore”, thuhet në letër.

Kundër mbylljes së kompanisë ilegale të ujësjellësit në Mitytrovicën Veriore ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq.

Javë më parë është mbyllur kompania paralele e Serbisë e ujësjellësit dhe mbeturinave “Novo Javno Preduzece” e cila ka funksionuar në Shtërpcë.

Deri më tani, për shkak të “aktivitetit të paligjshëm” ose “falsifikimit të dokumenteve” – siç e përshkruan Prokuroria e Kosovës punën e institucioneve serbe – janë mbyllur organet komunale të përkohshme, qendrat për punë sociale, Posta e Serbisë, Banka Kursimore Postare, Fondi i Sigurimit Pensional, Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe institucione të tjera.

(r.m.)