Prishtinë, 21 korrik 2025 – Policia e Kosovës njoftoi se dy raketahedhës dore (zolla) janë gjetur e sekuestruar në pjesën veripre të Mitrovicës, të hënën.
Policia tha zse se këto armë të prodhimit serb, janë gjetur në një kompleks banesor të pabanuar në rrugën “Anka Spaiq”.
“Armët janë sekuestruar si dëshmi materiale, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se armët e gjetura e të sekuestruara në pjesën veriore të Kosovës janë dëshmi se Serbia i ka furnizuar me armë grupet terroriste serbe në Kosovë.
“Beogradi jo vetëm që nuk është distancuar asnjëherë nga këto mjete dhe veprime në veri të vendit, por përkundrazi, për vite me radhë i ka stimuluar, organizuar dhe furnizuar grupet terroriste dhe bandat kriminale, me të vetmin qëllim: cenimin e integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka theksuar se organet e sigurisë së Kosovës janë të vendosura që në mënyrë sistematike të shkatërrojnë çfarëdo potenciali terrorist në vend.
“Çdo ditë e më shumë po e kthejmë rendin në atë pjesë të territorit dhe, bashkë me të, edhe investimet dhe zhvillimin për të gjithë qytetarët, pa dallim”, ka shkruar Sveçla.
(r.m.)