Nga Merlin Tushe
NEW YORK
Me rastin e Ditës së Nënave Amerikane “Mother’s Day” Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” (The Women’s Organization “Hope & Peace”) me anëtaret e saj organizoi një drekë në restorant “Il Bacio” në New York, e ftuar speciale ishte Konsullja e Shqipërisë në New York, Znj. Valentina Loka. Të pranishme ishin edhe Kryetarja e Shoqatës së grave “Marigona” në SHBA, zonjat Sabije Veseli, regjisorja Mrika Krasniqi etj.
Disa zonja ishin shoqëruar edhe nga bashkëshortët e tyre. Festa kaloi bukur dhe nën një atmosferë feste. U përshëndet nga Konsullja e Shqipërisë Znj. Valentina Loka dhe anëtaret e organizatës “Shpresë & Paqe”. Znj. Loka, vlerësoi misionin dhe përpjekjet e organizatës “Shpresë & Paqe” që punon vullnetarisht në mbrojtje të të drejtave të grave dhe fëmijëve në SHBA, si dhe përpjekjet e anëtareve të saj kundër dhunës në familje. Gjithashtu Konsullja Valentina Loka përcolli edhe urimet e Ambasadorit Shqiptar Misionit të OKB në New York, Z. Ferid Hoxha.
Me këtë rast për veprimtarinë humane dhe si aktiviste e të drejtave të njeriut Znj. Maria Rexhaj u dekorua nga Presidenca e Bashkisë në New York me Proklamatë Nderi, ndërsa disa zonja dhe studentja Sonila Daci, anëtare të organizatës “Shpresë & Paqe” u vlerësuan me “Çertifikata Mirënjohje” nga Senatorja Nathalia Fernandez. Gjatë drekës u fol dhe u përkujtua historiku i “Mother’s Day”, si Festë Mbarëkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që festohet çdo vit, të dielën e dytë të muajit maj.
![](https://www.illyria.com/wp-content/uploads/2023/05/IMG-08ae2e279e0c73a70df17c0b029bd5c8-V.jpg)
![](https://www.illyria.com/wp-content/uploads/2023/05/20230514_180113.jpg)
![](https://www.illyria.com/wp-content/uploads/2023/05/IMG-3ba02d69dff2c77ec6e53e4c1a05ccd8-V.jpg)
![](https://www.illyria.com/wp-content/uploads/2023/05/IMG-b96ffc66962363d7ed4f9124deeec921-V.jpg)