Në Ohër, Kurti e Vuçiq bisedojnë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve

Ohër, 18 mars 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç takohen sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar rrugët dhe ritmin e zbatimit të një plani perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Të dy i dhanë po muajin e kaluar planit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, që nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ka pranuar komente nga Kosova dhe Serbia lidhur me udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian.

Ai tha se gjatë bisedimeve të sotme do të punohet për “një version të konsoliduar të aneksit, mbështetur në komentet e tyre. Dhe pastaj, shpresoj që Kosova dhe Serbia do të bien dakord me rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve. Ky aneks për zbatimin do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes, pasi ne do të saktësojmë se si do të zbatohen dispozitat e saj”, tha zoti Borrell, duke shfaqur shpresën se në Ohër do të ketë një mundësi të veçantë që Kosova dhe Serbia të përparojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Sytë e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor janë në Ohër sot”, shkroi ai të shtunën.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken dhe shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, thanë të premten se është koha e duhur që Kosova dhe Serbia të hedhin hapa domethënës në interes të integrimeve perëndimore. Në një bisedë telefonike të dy zyrtarët e lartë diskutuan mbi mbështetjen e tyre të fortë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në prag të takimit Këshilltari Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, zhvilloi biseda telefonike, me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për t’i inkurajuar ata që të pajtohen rreth udhërrëfyesit për zbatimin e planit evropian, i cili përfshinë kërkesën për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është edhe çështja më e mprehtë e bisedimeve.

Nuk pritet ndonjë nënshkrim marrëveshjeje në bisedimet e sotme. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të shtunën se do të ketë bisedime për planin e zbatimit, sepse nuk ka tekst të përfunduar. “Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve, nuk mund të ketë marrëveshje”, tha zoti Kurti duke shprehur besimin se do të ketë përparime në takim.

“Përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim të mirë, me vullnet të mirë dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim…”, tha ai.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk planifikon të nënshkruaj asgjë në takimin e së shtunës dhe se nuk do të heq dorë nga vijat e kuqe të Serbisë kundruall Kosovës, duke ju referuar qëndrimeve të tij kundër mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Plani evropian parasheh që palët të mos e pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, të cilat kushtëzohen pikërisht më normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Thirrjeve për përparim në bisedime iu bashkua edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili i cilësoi të rëndësishme bisedimet në Ohër duke u bërë thirrje palëve për angazhim konstruktiv.

“Kjo është thelbësore për qëndrueshmërinë e rajonit dhe ardhmërisë euroatlantike të tij. NATO dhe KFOR-i vazhdojnë të punojnë për një Kosovë të qëndrueshme dhe paqësore”, shkroi ai.

(Zëri i Amerikës)