Shqiptarët në Philadelphia organizuan ceremoninë e ngritjes solemne të flamurit të Kosovës në bashki
Nga dr. Sadik Elshani
Fotot: Eva Dori, gazetare
Pas shpalljes së pavarësisë së shqipërisë më 28 nëntor 1912, shpallja e pavarësisë së Kosovës është ngjarja më e rëndësishme në historinë e popullit tonë. Më 1912 shqiptarët fituan një shtet të cunguar, më shumë se gjysma e trojeve tona dhe të popullsisë sonë mbetën jashtë kufijve shtetëror. Por, ëndrrat, përpjekjet mbinjerëzore të brezave të tërë të shqiptarëve nuk u shuan kurrë. Për më shumë se një shekull Kosova kaloi një kalvar të mundimshëm, duke u kanosur edhe nga zhdukja e faqës së dheut. Prandaj, shpallja e Kosovës shtet i lirë e i pavarur, i njohur nga fuqitë e mëdha e demokracitë më të përparuara të botës, është një ngjarje madhështore, shumë e gëzueshme që vështirë mund të përshkruhet me fjalë. Shkurt, në Kosovë ka ndodhur nje mrekulli, një ringjallje. Një Feniks i vërtetë, është ringjallur Dardaniia e lashtë në një shtet të ri.
Shoqata jonë, “Bijtë e shqipes”, gumëzhonte nga gëzimi në ditën që u shpall pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008. Pastaj ajo vazhdimisht me shumë veprimtari e ka shënuar çdo përvjtor të pavarëisë së saj. Nga viti i kaluar kemi filluar edhe me organizimin e ngritjes së flamurit të Kosovës në bashkinë e qytetit të Philadelphias. Nuk ka vend më solemn për ta festuar pavarësinë e një vendi sesa në Philadelphia, vendlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku lindi një shtet i ri dhe një epokë e re për njerëzimin. është ky një nder i jashtëzakonshëm për komunitetin tonë, Kosovën, kombin tonë – është afirmim i vlerave të përbashkëta për liri, pavarësi, paqe, drejtësi e përparim.
Në sheshin e bashkisë ishin mbledhur bashkatdhetarët e gëzuar e të qeshur për të festuar këtë Ditë të Madhe për Kosovën e kombin tonë. Mbretëronte atmosferë festive, ngazëllyese: valonin flamujt e Kosovës, kuqezi e amerikanë; jehonte kënga e vallja shqiptare, ku mbizotëronin ato me motive nga Kosova dhe ngjarjet e lavdishme të historisë së saj: “Po ku je Adem Jashari…” Në këtë ceremoni merrte pjesë edhe ambasadori i Kosovës në ShBA, z. Ilir Dugolli, i shoqëruar nga këshilltari i kësaj ambasade, z. Drilon Gashi, si dhe kapiteni Lulzim Krasniqi, atashe i Policisë së Kosovës. Merrnin pjesë ehde këshilltarët e Këshillit Bashkiak të qytetit të Philadelphias, zotërinjtë: Michael Driscol, Mark Squilla dhe Curtis, Jones Jr. Nga Zyra për Çështjet e Emigrantëve merrte pjesë z. Alain Joinville, drejtor për Komunikime Strategjike e Programe. Ishte i pranishëm edhe z. Christopher Chaplin, kryetari i Organizatës së Konsujve të Nderit në Philadelphia.
Këtë ceremoni e hapi z. Dritan Matraku, kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare “Bijtë e shqipes”, i cili i përshëndet të pranishmit, duke ua uruar Festën e Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu ai i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhjen mysafirëve të cekur më lart. Pastaj u luajtën himnet kombëtare të Amerikës dhe Kosovës. Gjatë luajtjes së himnit të Kosovës ngritej në shtizë edhe flamuri i saj. Flamuri u ngrit nga z. Avdi Osmanollaj, 81 vjeçari nga Hasi i Prizrenit, i shoqëruar nga çifti nga Kosova, Sahadete e Lumni Shurdhiqi. është ky një nderim që shoqata u ben anëtarëve të saj të dalluar..Në emër të shoqatës “Bijtë e shqipes” përshëndeti anëtari i Këshillit Drejtues, biznismeni i ri e i suksesshëm, z. Leotrim Osmanollaj. Në fjalën e tij të përgatitur bukur z. Osmanollaj foli për rëndësinë e kësaj ngjarje të shënuar të historisë sonë, përpjekjet e sakrificat e shqiptarëve ndër vite për liri e pavarësi: “Teksa sot festojmë 16 vjet pavarësi, ne përulemi përpara gjakut dhe sakrificës së qindar mijëra grave e burrave që ndër shekuj luftuan pa kursyer edhe jetërat e tyre, vetëm më një qëllim, një qëllim madhor që një ditë në Kosovë të valvitet flamuri i lirisë; që të jetojmë të lirë e të pavarur në trojet tona të lashta ilire…Liria është e shtrenjtë dhe tepër e brishtë. Edhe sot, 16 vite pas shpalljes së pavarësisë, atdheu na kërkon të jemi vigjilentë e të kujdesshëm” – u shpreh ndër të tjera z. Osmanollaj. Ai për të pranishmit solli edhe një citat nga ish-presidenti amerikan, Roland Regan: “Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes. Duhet të luftohet dhe të mbrohet.”
Këshilltarët Michael Driscol e Mark Squilla u uruan të pranishmëve Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar përpjekjet dhe synimet e popujve për liri e pavarësi. U kujtuan atyre se një gjë e tillë kishte ndodhur më katër korrik 1776, vetëm disa blloqe më tutje nga ku po mbahej ceremonia e sotme. Ata cekën edhe 250 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së ShBA-ve që do të festohet në vitin 2026. Që të dy këshilltarët folën për rolin e emigrantëve në zhvillimin e Philadelphias. Ata posacërisht i vlerësuan emigrantët shqiptarë që në këtë qytet dhe anambanë Amerikës kanë sjellur talentet e tyre, vlerat familjare e njerëzore, etikën e lartë të punës e ndershmërisë. Nuk mungoi as porosia e tyre për ta ruajtur gjuhën, kulturën e traditat tona kombëtare.
Ambasadori Ilir Dugolli kishte përgatitur një fjalim të shkëlqyer, duke vlerësua lart simbolikën e mbajtjes së kësaj ceremonie pikërisht në qytetin e Philadelphias. Ai falenderoi komunitetin dhe qytetin për pritjen e ngrohtë që i ishte bërë vitin e kaluar, prandaj me shumë dëshirë kishte ardhur përsëri në mesin tonë. Zoti Dugolli në vazhdim foli për rëndësinë e kësaj dite në historinë e Kosovës, përpjekjet e shtetit e shoqërisë kosovare për t’u inkuadruar në organizata euroatlantike. Foli pastaj për vlerat e përbaskëta që ndajnë Amerika e Kosova. Gjithashtu ai shprehu mirënjohjen e falenderimet për ShBA-të dhe aleatët e saj për çlirimin e Kosovës, ruajtjen e lirisë e të pavarësisë së saj, ndihmesën e tyre të pakursyeë për ndërtimin e institucioneve demokratike e zhvillimin ekonomik te shtetit të Kosovës.
Zoti Alain Joinville përshëndeti në emër të Zyrës për Çështjet e Emigrantëve (Office for Emigrant Affairs). Ai i njoftoi të pranishmit për punën që bën kjo zyrë për t’i ndihmuar emigrantët e rinj për t’u përshtatur në jetën e qytetit të Philadelphias. Po ashtu, ai e ceku se Philadelphia është qytet që i mirëpret zemërhapur emigrantët dhe ku emigrantët ndihen mire: të mirëpritur e të vlerësuar. Pastaj zoti Joinville lexoi pjesë nga Proklamata përmes së cilës kryebashkiakja Cherelle Parker e shpallte 16 shkurtin e vitit 2024, Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Philadelphia. Një nder i madh ky për Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre.
Me një përshëndetje të shkurtër të pranishmit i përshëndeti edhe zonjusha Dzana Badnjeviq, koordinatore për Ngjarje (events) e Projekte Speciale në Zyrën e Përfaqësuesit të Qytetit. Dzana Ka bërë edhe një punë të palodhshme për organizimin sa më të mirë të kësaj ceremonie. Ky program i ngritjes së flamujve të vendeve të origjinës së komuniteteve në Philadelphia është një program që duhet vlerësuar, sepse me ngritjen e flamurit të vendit të origjinës tënde ndihesh mirë, ndihesh i vlerësuar, i mirëseardhur për të punuar e jetuar për të rritur familjen tënde. Shoqata “Bijtë e shqipes” dhe komuniteti shqiptaro – amerikan kanë një bashkëpunim të shkëlqyer me bashkinë dhe me këtë rast ne i shprehim falenderimet tona për qytetin e Philadelphias, për Amerikën – vendin e mundësive të pa kufijshme.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur!
Philadelphia, më 16 shkurt 2024.