Prishtinë, 26 gusht 2024 – Kompanitë kosovare tashmë kanë filluar të jenë prezente në tregun e veriut të vendit. Ato kanë filluar të hapin markete, kafiteri, pastiçeri e restorante.
Këtë të hënë, në veri u hap marketi i parë “Meridian Express”, i cili saktësisht ndodhet para shtatores së “Car Llazarit”, shkruan Telegrafi.
Hapja e këtij marketi shënon hap pozitiv, qoftë në aspektin e mundësisë së punësimit por edhe në rritjen e bashkëpunimit mes komuniteteve dhe në krijimin e një perspektive më pozitive.
Kjo është pika e parë e “Meridian Express” që është hapur në veriun e vendit.
Drejtori ekzekutiv i këtij marketi, Agon Gashi, sot para gazetarëve u shpreh se është mjaft i lumtur për hapjen e kësaj pike.
Gashi tha se në këtë market do të punojnë të gjitha komunitetet dhe nuk do të bëjnë dallime në bazë të nacionalitetit.
Po ashtu, ai shtoi se në konkursin e hapur për punëtorë ka pasur interesim edhe nga komuniteti serb.
Përveç marketit “Meridian Express”, në pjesën veriore të vendit po punohet edhe në hapjen e lokalit “Missini Sweets”.
Ky lokal gjendet në pjesën fillestare ku fillon pjesa veriore e vendit, e në këtë vend më herët ishte “Këshilli Kombëtar Serb”, transmeton Telegrafi.
Po ashtu, javë më parë në afërsi të urës së Ibrit u hap kafiteria “C’est la vie”, e cila më heret mbante emrin “Dolçe vita”.
Të gjitha këto objekte janë në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka thënë se këto objekte tashmë janë nën kontrollin e saj dhe se janë shpallur tenderë përmes të cilëve, këto objekte janë blerë apo janë marrë me qera.
(Telegrafi)