Në Podgoricë, mbahet mbledhje e përbashkët e qeverive të Malit të Zi dhe Shqipërisë

Podgoricë, 27 shkurt 2023 – Në Podgoricë po mbahet mledhja e dytë e përbashkët e Qeverisë së Malit të Zidhe Qeverisë së Shqipërisë.

Në këtë mbledhje, e cila po mbahet në ndërtesën e re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi pritet të diskutohet për projekte që kanë rëndësi për të dyja vendet. Në fund, do të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët dhe disa marrëveshje dypalëshe.

Një ndër projektet më të rëndësishme për të dy vendet është ai për ndërtimin e urës mbi lumin Buna, në breg të detit. Ky projekt është prezantuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nga ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në një takim të tyre të mbajtur në Ohër, në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, në qershor të vitit të kaluar. Dy kryeministrat kanë thënë se projekti do të kushtojë 9 milionë euro dhe pritet të përfundojë brenda 18 muajsh.

Ura do të jetë e gjatë rreth 310 metra dhe e gjerë 17 metra, si dhe do të përfshijë trotuare dhe shtigje për biçikleta.

“Kjo urë do të lidhë 34 kilometra të plazhit me rërë, të cilat vizitohen nga rreth 530 mijë turistë çdo vit. Distanca aktuale mes Ulqinit dhe Velipojës është 73 kilometra, ndërsa me ndërtimin e urës do të reduktohet në vetëm një kilometër”, pati thënë Abazoviq.

Përveç saj, pritet të firmosen edhe nëntë marrëveshje dhe memorandume në disa fusha me interes të përbashkët që kanë të bëjnë me: energjinë, peshkimin, mbrojtjen e bimëve, mbrojtjen sociale, sportin, kulturën dhe median, në fushën e mbrojtjes dhe shëndetësisë.

Tjetër marrëveshje e rëndësishme do të jetë edhe ajo për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj, në territorin e Shqipërisë, si dhe marrëveshja për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e përbashkët të peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës, mes ministrive përkatëse të të dyja vendeve.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, Rama dhe Abazoviq do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Qeveria e Shqipërisë ka zhvilluar mbledhje të përbashkëta edhe me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Veriut.

Me Kosovën janë zhvilluar tetë mbledhje të përbashkëta dhe janë nënshkruar rreth 130 marrëveshje.

(r.m.)