Në prag të “Super të Martës”, Biden e Trump shtojnë kritikat ndaj njëri-tjetrit

Uashington, 4 mars 2024 – Amerikanët do t’u drejtohen të martën kutive të votimit në gjashtëmbëdhjetë shtete për të zgjedhur kandidatin zyrtar për president të partive të tyre politike. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, gjatë fundjavës kandidatët shtuan kritikat ndaj rivalëve dhe paraqitën për votuesit përparësitë e tyre.

Votuesit në pesëmbëdhjetë shtete dhe në Samoan Amerikane do t’u drejtohen kutive të votimit të martën, për të zgjedhur kandidatin zyrtar të partisë së tyre për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Presidenti demokrat Joe Biden dhe pararendësi i tij republikan ish presidenti Donald Trump pritet t’i afrohen më shumë marrjes së emërimit si kandidatët zyrtarë të partive të tyre.

Ish ambasadorja në OKB, Nikki Haley, e cila po sfidon zotin Trump brenda Partisë Republikane, shënoi fitoren e parë ndaj tij, duke fituar në kryeqytetin e vendit, Uashington D.C. Ajo i tha të dielën kanalit televiziv NBC se do të vazhdojë në garë për sa kohë që votuesit do ta dëshirojnë këtë.

“E tregojnë me votat e tyre. E tregojnë me donacionet e tyre. Unë jam e përqendruar në nevojën që ne të fillojmë të respektojmë paratë e mbledhura nga taksapaguesit dhe zvogëlimin e përmasave të qeverisë. Duhet të sigurojmë kufijtë tanë dhe të jemi një vend i ligjit dhe rendit dhe ne besojmë tek paqja nëpërmjet fuqisë”, tha zonja Haley.

Emigracioni është gjithashtu ndër çështjet që ish presidenti Trump zgjodhi përpara Super të Martës.

“Asnjë jetë e pafajshme amerikane nuk duhet të humbasë nga krimet e emigrantëve. Duhet ta ndalim këtë… Ju duhet të dilni të votoni pasi duhet të mbledhim vota të shumta për 5 nëntorin. Duhet t’ua bëjmë të ditur se jemi si një tren i pandalshëm”, tha ish presidenti Trump.

Presidenti Biden, i cili vizitoi Teksasin javën e kaluar, e akuzoi zotin Trump se bllokoi një projektligj dypartiak për sigurinë e kufirit. Zonja e parë, Jill Biden solli në dritë një tjetër tematikë që ajo thotë se duhet të marrë vëmendjen e votuesve: të drejtat e grave për riprodhimin.

“Ai po shqyrton mundësinë e një ndalimi mbarëkombëtar për abortin. Donald Trump-i është i rrezikshëm për gratë dhe për familjet tona. Thjesht nuk mund ta lejojmë të fitojë”, tha zonja Biden.

Presidenti Biden e ka pothuajse të garantuar se do të jetë kandidati zyrtar demokrat. Në anën republikane, zoti Trump duhet të fitojë të paktën 1215 delegatë për të siguruar emërimin nga partia.

Mund të duhen disa ditë që të shpallen zyrtarisht të gjitha rezultatet e zgjedhjeve paraprake të së martës.

(Zëri i Amerikës)