Prishtinë, 24 shkurt 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, i ka arrestuar katër të dyshuar për mashtrim mbi 1.5 milion euro.
Të arrestuarve (M.M., S.B., D.R., dhe B.Z.) u është caktuar masa e sigurisë paraburgim prej 30 ditësh.
Prokuroria bëri të ditur se ata, në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë fshehur faktet relevante dhe e kanë vënë në lajthitje të dëmtuarin H.M, të cilit i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 1,578,180.00 eurosh.
Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se M.M. dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërsa D.R. dyshohet edhe për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme “.
Prokuroria njoftoi se prokurori i shtetit ka nxjerrë urdhër ndalues i përkohshëm për parcela përkatëse, pasi dyshohet se ajo është shitur me dokumente të falsifikuara.
“Prokurori i shtetit ka nxjerrë urdhër ndalues të përkohshëm për parcelat përkatëse, pasi ekziston dyshimi i bazuar se prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq nga Gjykata është kërkuar të lëshojë urdhër ndalues përfundimtar për parcelat përkatëse, me qëllim të sigurimit të pronës deri në përfundim të procedurës penale.
(r.m.)