Prishtinë, 13 nëntor 2024 – Rusia përdor metoda të ndryshme për të realizuar dhe ruajtur ndikimin e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe disa prej tyre janë politike, ekonomike, fetare dhe kulturore, deklaroi Jeta Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Në një konferencë për ndikimin e aktorëve të huaj në sigurinë kombëtare të Kosovës në Prishtinë, më 13 nëntor, ajo theksoi gjithashtu se dezinformimet që Rusia përdor për ta kontrolluar situatën janë të pranishme edhe në Kosovë, edhe pse ajo nuk ka marrëdhënie diplomatike, politike apo ekonomike me Moskën zyrtare.
Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka zyrën e saj të ndërlidhjes në Prishtinë prej vitit 2005. Megjithatë, aktivitetet e kësaj zyreje nuk janë të njohura për publikun.
Në këtë konferencë, e cila u mbajt nën organizimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe organizatës gjermane Konrad Adenauer Stiftung – e cila mbështet paqen dhe lirinë – u diskutua për dinamikën e sigurisë së brendshme të Kosovës dhe ndikimin e huaj, veçanërisht të Rusisë.
Loshaj paraqiti dy propozime për luftën kundër narratives ruse: që Kosova, në bashkëpunim me partnerët, të mbledhë informacione për të zvogëluar ndikimin rus dhe të arrijë bashkëpunim më të thellë në fushën e nismave të inteligjencës dhe sigurisë për të bërë ndryshime dhe për të ulur rrezikun nga përpjekjet për destabilizimin e Ballkanit.
Ajo theksoi gjithashtu se analiza e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë ka treguar se Rusia ishte e informuar për sulmin në Banjskë afër Zveçanit në shtator 2023, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau një polic.
Kosova e cilëson këtë sulm si terrorist dhe e akuzon Serbinë se qëndron prapa tij, gjë që Beogradi e ka mohuar. Zyrtarët kosovarë gjithashtu kanë bërë të ditur se po hetojnë lidhjet e mundshme ruse me sulmin në Banjskë.
Autoritetet në Kosovë kohët e fundit kanë paralajmëruar shpesh për një rrezik të mundshëm nga Serbia, dhe në këtë kontekst përmendet rregullisht Rusia, si aleate e Beogradit zyrtar, që synon destabilizimin e veriut të Kosovës dhe rajonit.
Serbia, e cila mban marrëdhënie të mira me Rusinë, deri tani ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë. Megjithatë, Beogradi në Kombet e Bashkuara ka votuar për disa rezoluta që dënojnë agresionin rus në Ukrainë.
Lulzim Peci, drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime Politike (KIPRED), theksoi gjithashtu se Rusia në periudhën e mëparshme ka bllokuar pjesërisht njohjet e reja të pavarësisë së Kosovës, por jo tërësisht.
Sipas tij, Kosova ka kapacitet dhe aftësi për t’u përballur me narrativen dhe propagandën ruse, por mungon një angazhim më aktiv në këtë drejtim.
Ai shtoi se Rusia është e pranishme në shumë vende, përfshirë ato që e kanë njohur Kosovën, por besueshmëria e saj është duke rënë prej fillimit të agresionit në Ukrainë.
Hajdi Xhixha, eksperte për politikën e jashtme të Rusisë ndaj Ballkanit Perëndimor, theksoi se Kosova duhet të forcojë partneritetin ekonomik dhe politik me aleatët dhe vendet në rajon, për të zhvilluar një strategji të përbashkët dhe për të minimizuar ndikimin e Rusisë.
Ajo nënvizoi gjithashtu se mbetet për t’u parë se si do të pozicionohet administrata e re e SHBA-së ndaj Rusisë, pas kthimit të Donald Trumpit në pushtet, por pritet të ketë përpjekje për uljen e tensioneve dhe relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve perëndimore dhe Moskës.
“Do të shohim se si kjo do të reflektohet në zhvillimet në Ukrainë dhe në Ballkan”, tha ajo, duke treguar se ekziston mundësia që politika e jashtme e SHBA-së të ndryshojë.
“Ende nuk e dimë, por duhet të jemi të përgatitur”, shtoi ajo.
Donald Trump, i cili javën e kaluar fitoi në zgjedhjet presidenciale në SHBA, gjatë fushatës ka deklaruar se mund t’i japë fund shpejt luftës në Ukrainë, por nuk ka dhënë hollësi së si do ta bënte këtë.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ndërkohë, e ka uruar Trumpin për fitoren dhe ka thënë se Moska është e hapur për bisedime me presidentin e ri republikan.