Në Prishtinë, filloi punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Prishtinë, 22 tetor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, hapi Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, me temë “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”, që nisi punimet të shtunën, në Prishtinë.

Ajo bëri thirrje për përfshirje më të madhe të grave në procesin e vendimarrjes, duke theksuar se kjo do të ishtekontribut për ruajtjen e paqes.

“Nëse dëshirojmë të mirëmbajmë paqen, mund ta bëjmë vetëm nëse gratë janë në tavolinat vendimmarrëse”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se në këtë forum pritet të dominojnë diskutimet për rolin e grave në zona të konflikteve, me theks të veçantë në konfliktin e Ukrainës.

“Kemi këtu përfaqësues të Ukrainës dhe gazetare nga Ukraina. Ajo që po e dëshmon vendi juaj na e kthen kujtesën tonë të luftës”, tha ajo.

Osmani foli edhe kontributin e grave kosovare para e gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë, si edhe për rëndësinë e barazisë së grave në përparimin e shoqërive dhe të shteteve.

“Historia e Kosovës është historia e secilës grua që e ka hequr një gur nga rruga drejt barazisë”, tha ajo.

Forumi, i njohur si WPS, mbahet për herë të parë në Kosovë. Vullneti i Kosovës për organizimin e këtij forumi ishte shprehur nga Presidentja Osmani në Samitin për Demokraci që u mbajt vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani tha se ishte planifikuar që folëse e parë nëkëtë forum të ishte ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, dhe shprehu keqardhje që ajo nuk e priti organizimin e këtij forumi.

“Znj. Albright ishte planifikuar të jetë folësja kryesore. Albright do të mbetet një figurë historike për këtë vend për kontributin që ka dhënë për sigurinë e paqen”, tha Osmani.

This image has an empty alt attribute; its file name is Antony-Blinken-gjate-adresimit-Forumit-per-Grate-Paqen-dhe-Sigurine.jpg

Blinken: Forumi ka dy tema që ishin të rëndësishme për Albright

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, iu drejtua pjesëmarrësve të forumit përmes një videomesazhi.

Ai tha se është nder t’i adresohet këtij forumi sepse përmbledh dy tema të rëndësishme për paraardhësen e tij, Albright, Kosovën dhe fuqizimin e grave, duke çmuar lartë figurën e ish-sekretares.

“Sekretarja Albright luftoi për të përfshirë gratë në të gjitha aspektet e ndërtimit të paqes dhe vendimmarrjes sepse kishte parë dallimin që bënin kur u jepej zë”, tha ai përmes një video-mesazhi.

Ai kujtoi fjalimin e Albright në Parlamentin e Kosovës më 2005, kur kishte kërkuar që grave t’u jepet më shumë hapësirë në jetën shoqërore.

“Që nga ajo kohë, Kosova ka zgjedhur dy gra në postin e presidentes, dhe më duhet të shtoj se janë dy gra më shumë presidente sesa SHBA-ja”, tha ai.

https://www.facebook.com/watch/?v=610442300781673

Edhe Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, iu adrejtuar pjesëmarrësve të forumit përmes një video-mesazhi. Ajo tha se diskutimet që do të zhvillohen në këtë forum janë me rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh situatën me luftën në Ukrainë.

“Kur gratë, paqja dhe siguria po sulmohet në qendër të Evropës është shumë urgjente që ne ekspertët, liderët e akademikët duhet të bëhemi bashkë për t’i diskutuar sfidat që po i kanosen agjendës së Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë”, tha Metsola.

Në punimet e këtij forumi mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se gratë janë pjesë kyçe e garancisë së sigurisë, duke shtuar se dëshiron që në të ardhmen të shohë pjesëmarrje më të madhe të grave në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Angazhimi i grave në Kosovë nuk ka munguar në shtetndërtim dhe mbarëvajtjen e shtetit tonë. Nuk ka garanci më të mirë për paqen e sigurinë përveç nëse kjo realizohet nga burrat e gratë bashkë”, tha ai.

Sipas të dhënave, 11 për qind e Forcës së Sigurisë së Kosovës përbëhet nga gratë.

Sipas agjendës zyrtare, Forumi në edicionin e parë të tij do të mbledhë 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës, të cilët gjatë dy ditëve do të trajtojnë çështje që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë.

Në këtë Forum, pritet të marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit.

(r.m.)