Prishtinë, 15 masj 2025 – Të enjten në Prishtinë janë gjetur dhe janë zhvarrosur mbetjet mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se mbetjet e zhvarrosura janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme dhe procesin e identifikimit.
“Pas dy ditëve të operacioneve të gërmimit dhe zhvarrimit në Prishtinë, ekipet mjekoligjore të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe EULEX, me mbështetjen e Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës dhe Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, kanë lokalizuar mbetjet mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme dhe procesin e identifikimit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
“Ky është një hap domethënës në procesin e kërkimit të së vërtetës dhe drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre. Përkushtimi ynë për të mos ndalur kërkimet vazhdon dhe nuk do të ndalet derisa çdo person i zhdukur të identifikohet”, ka shkruar ajo.
Haxhiu e ka vlerësuar mbështetjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, duke e cilësuar atë si një partner kyç në lokalizimin e vendndodhjeve të mundshme të varrezave massive të viktimave të luftës në Kosovë.
Operacionet e kërkimit do të vazhdojnë edhe në javët në vijim në lokacione të tjera të Kosovës, si pjesë e përpjekjeve kombëtare dhe ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur nga periudha e luftës së viteve 1998–1999.
Çështja e personave të zhdukur gjatë luftës është një plagë ende e hapur e historisë së luftës në Kosovë. Familjet e personave të zhdukur jetojnë me shpresën se e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë, pavarësisht kohës që ka kaluar.
(r.m.)