“UÇK-ja është emëruesi ynë i përbashkët, ish-drejtuesit do të kthehen fitimtarë e faqebardhë”

Prishtinë, 2 prill 2023 – Organizatorët e “Marshit për Drejtësi” nga iniciativa “Liria ka emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli thanë se UÇK-ja është emëruesi ynë i përbashkët, është vlera më sublime që kemi krijuar si komb.

“Si sot 24 vite më parë, Prishtina ishte shndërruar në një qytet fantazmë. Lumi i njerëzve të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga ushtria dhe paramilitarët serbe kishte mësyrë stacionin e trenit. Ai stacion, që ishte i mbyllur për më shumë se dhjetë vite, u hap atë ditë për të na dëbuar jashtë Kosovës, në një rrugë pa kthim.

Po ne u kthyem, e këto sheshe u mbushën prapë, për të festuar çlirimin dhe pavarësinë. Si fotografe e re atëbotë, i mbajë mend shkrepjet e fytyrave me lot gëzimi kur të gjithë bashkë, shënonim ato fitore të mëdha”, tha Hoxha.

Ajo shtoi se gjatë këtyre dy javëve, anë e kënd Kosovës, bashkë me Ismajlin e kam rijetuar historinë tonë.

“E kam ndjerë në dhimbjen e nënës Ferdonije, në guximin e Shyhretes dhe Vasfijes, në stoicizmin e Fahrije Hotit, në qëndresën e bacës Shaban. E kam parë dhe ndjerë sa e gjallë dhe sa e hapur vazhdon të jetë plaga jonë, dhe thirrja për drejtësi.  Përulësisht, ju falënderoj nga zemra që jeni me ne sot. UCK na bashkon. Të gjithëve. Pa dallim. Thirrja për drejtësi na bashkon.  E unë jam e bindur se ky shesh do të buqas sërish, në ditën e kthimit të luftëtarëve tanë”, tha Hoxha.

Ismail Tasholli i falënderoj të gjithë ata që i janë bashkuar i thirrjes për drejtësi.

“Ne, si komb, njëzëri, bashkë, marshojmë kundër ndryshimit të historisë. Marshojmë për drejtësi.  Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi fillojnë nesër betejën e radhës. Betejën për të vërtetën dhe drejtësinë. Si gjithmonë, do të na kthehen fitimtarë e faqebardhë”, tha Tasholli.

Qytetarëve iu drejtua edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Ai tha se nuk ka dyshim që Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi e bashkëluftëtarët e tyre do të rikthehen fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë.

“Sot, ballëlartë e me zemër plot, marshojmë krenarë, për ata që dikur marshuan drejt lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë, që përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç pavarësisë, s’kanë pasur një projekt rezervë. Sot, ne solidarizohemi me ta, sepse ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar, demokratik e qytetërues, por që s’ka përfunduar akoma”, theksoi kreu i PDK-së.

Ai ka ftuar qytetarët ta ruajnë frymën e unitetit, për ta ripërtrirë përkushtimin për Kosovën, të cilën çlirimtarët e kanë ëndërruar.“Ky është obligimi që kemi edhe ndaj Hashimit, Kadriut, bacës Jakup, Rexhës, Calit, Hysit, Nasimit e Pjetrit. Dhe kjo duhet të jetë rruga jonë e përbashkët për Kosovën e ëndërrave tona. Për Kosovën që na bashkon e në të cilën DIELLI DO TË LIND PËRSËRI. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. Drejtësi për çlirimtarët tanë”, tha Krasniqi.

Flaka Fazlia, vajza e dëshmorit Fatmir Fazlia tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizatë Çlirimtare dhe bota nuk duhet t’ia lejojë vetes që në emër të drejtësisë të dënojë njerëz të pafajshëm.

“UÇK-ja nuk ka kryer krime dhe nuk është në asnjë formë organizatë kriminale, por një organizatë clirimtare. Pjesëtarët e UÇK-së ishin njerëz, të cilët dënesën e dhimbjeve tona kolektive, e kthyen në zë të fuqishëm, të cilin e dëgjoi e gjithë bota, e në vecanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe BE. Bota nuk duhet t’ia lejojë vetes që në emër të drejtësisë të dënojë njerëz të pafajshëm”, tha ajo.

Ish-ushtari i UÇK-së, Kjani Guri, tha se liria e Kosovës ka emrin e sakrificës, martirëve, heronjve tanë dhe të UÇK-së.

“Jemi sot bashkë këtu për të kërkuar drejtësi. Për të mbrojtur me këmbëngulje historinë tonë të lavdishme. Në UÇK kanë qenë bijat dhe bijtë tanë më të mirë, të cilët luftuan për lirinë e Atdheut. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët, nuk janë emra të përveçëm, por janë historia jonë, të cilën nuk do ta lejojmë të rishkruhet”, tha Guri.

Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi janë liria jonë dhe do ta kalojnë edhe këtë sfidë.

“Rrofshin të rënët tanë. Rroftë ky popull. Ne po duam drejteësi për lirinë. Kemi luftuar për liri dhe nuk po e gëzojmë”, tha Qerkini.

Simboli i grave të Krushës dhe të gjitha grave të forta shqiptare, Fahrije Hoti, u shpreh e indinjuar që sot para gjykatës nxirren çlirimtarët e vendit dhe jo ata që kryen krime në Kosovë.

“Jam sot bashkë me ju që të kërkojmë drejtësi për luftëtarët e lirisë. Jam sot me ju për të kërkuar drejtësi për të ardhmen. Familja ime dhe Krusha ende kërkojnë drejtësi edhe 24 vite pas luftës. Edhe bashkëshorti im është ende i pagjetur. Në vend të kriminelëve, sot, fatkeqësisht, para gjykatës po dalim çlirimtarët e vendit tonë”, theksoi Fahrije Hoti.

May be an image of 2 people, people standing and outdoors

May be an image of one or more people, people standing, crowd and outdoors

May be an image of 5 people, people standing and outdoors

May be an image of one or more people and outdoors

***

Prishtinë, 2 prill 2023 – Mijëra qytetarë nga mbarë Kosova, por edhe nga viset tjera shqiptare, kanë ardhur në Prishtinë, për t’iu bashkuar “Marshir për Drejtësinë.

Marshi është organizuar në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhoma e Prokurorisë së Specializuar me seli në Hagë.

Në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku do të nisë marshi, dominojnë flamujt kombëetarë shqiptarë dhe flamujt me stemën dhe simbolet e Ushtrisë Çlirtimtare të Kosovës, si edhe pankartat me fotografitë e ish-krerëve të UÇK-së dhe dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.

Në parullat dhe afishet e pjesëmarrësve të marshit shprehet mbështetje për ish-pjesëtarët e UÇK-së që gjenden në paraburgim në Hagë. Po ashtu, kundërshtohen tendencat për njollosjen e luftës çlirimtare të vajzave dhe djemve të Kosovës.

Në altoparlantët e vendosur nga organizatori dhe nga turma e pjesëmarrësve dëgjohen brotohoritjet për UÇK-në dhe për ish-krerët e saj.

“Marshi i Drejtësisë” do të nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” e do të vazhdojë deri te sheshi “Skënderbeu”, para ndërtesave të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës.

Ky manifestim i solidaritetit me luftëtarët për lirinë e Kosovës është organizuar nga nisma qytetare “Liria ka emër”, ndërsa ka marrë mbështetjen e partive politike, të shoqërisë civile, të bashkësi fetare dhe të shumë figurave publike.

“Marshi i Drejtësisë” mbahet një ditë para fillimit të procesit gjyqësor ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi.

Sipas aktakuzës, ata dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

(r.m.)