Në Prishtinë, nis punimet Seminari i 41-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Prishtinë, 14 gusht 2023 – Sot në Prishtinë nisi punimet Seminari i 41-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, pa dyshim, ngjarja më e rëndësishme në fushë të ambanologjisë.

Qerim Qerimi, rektor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, tha se organizimi i këtij seminari nuk është i veçantë vetëm për universitetin, por për gjithë Kosovën.

This image has an empty alt attribute; its file name is Qerim-Qerimi-ne-hapje-te-Seminarit-te-41-te-Nderkombetar-per-Gjuhen-Letersine-dhe-Kulturen-Shqiptare-Prishtine.jpg

“Ne jemi tejet të gëzuar që keni vendosur të na bashkoheni, interesimi juaj për albanologjinë është testament i rritjes së përbashkët dhe ky seminar është i rëndësishëm jo vetëm për fakultetin”, tha ai.

“Suksesi i seminarit mbështetet në vazhdimësi me idenë e bartjes së rezultateve shkencore studentëve e studiuesve që pasojnë. Përtej mbështetjes së domosdoshme materiale i shpreh mirënjohje institucionale të gjithë kolegëve për përkushtimin”, u shpreh Qerimi.

“Unë kam besim të thellë që paraqitjet dhe diskutimet gjatë sesioneve, që do të zhvillohen në dy javët e ardhshme, do të nxjerrin në pah çështje të rëndësishme studimore dhe do të shpërfaqin rezultate mahnitëse kërkimore duke vënë në pah të arriturat tona shkencore, që unë mendoj se janë tërësisht të krahasueshme dhe të matshme me të tjerët”, theksoi ai.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Seminarit për promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në botë.

This image has an empty alt attribute; its file name is Arberie-Nagavci-ne-hapje-te-Seminarit-te-41-te-Nderkombetar-per-Gjuhen-Letersine-dhe-Kulturen-Shqiptare-Prishtine.jpg

“Kjo ngjarje sot është rritur e zgjeruar duke u bërë një platformë për gjuhën jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Letërsia është shprehja e saj përmes fjalës së shkruar. Andaj edhe ky seminar ka përsipër rolin promotor të këtyre vlerave. Në ditët tona gjuhët dhe kulturat po ndërlidhen më ngushtë se asnjëherë më parë”, tha ajo.

“Sot, kur seminari po hyn në dekadën e pestë të jetës, të gjithë e dimë rrugëtimin jo të lehtë të seminarit ndër vite prandaj më lejoni të shpreh përgëzim të veçantë për ata që e kanë vazhduar atëherë kur ishte më së vështiri nga represioni. Impakti i seminarit bëhet edhe më i qartë duke iu bashkuar jo vetëm ata nga trevat e banuara me shqiptarë. Gjuha jonë vazhdon të jetë me interes për studiues e gjuhëtarë nga mban globi”, theksoi ajo.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, e vlerësoi shumë kontributin e Seminarit në mbrojtjen e diversitetit dhe në shkëmbimet kulturore e gjuhësore.

This image has an empty alt attribute; its file name is Nicolas-Abbott-ne-hapje-te-Seminarit-te-41-te-Nderkombetar-per-Gjuhen-Letersine-dhe-Kulturen-Shqiptare-Prishtine-1.jpg

“Javën e kaluar isha në ‘Dokufest’ dhe mund të them se rëndësia e shkëmbimit të gjuhëve nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme. Megjithatë, pikërisht kjo gjuhë po përballet me kërcënimin e gjuhës. Ajo që rrezikojmë të humbasim nuk është thjesht një mjet komunikimi. Letërsia shqipe me rrënjët e saj të thella ofron një dritare të gjerë”, tha Abbott.

“Veprat e Ismail Kadaresë, Naim Frashërit e të tjerëve kanë krijuar urë lidhëse midis kulturave. Kur humbet një gjuhë, humbet një këndvështrim ndaj botës. Ne duhet të avokojmë për ruajtjen e gjuhës dhe urat ndërkombëtare që ajo ndërton”, shtoi ai.

“Bota jonë është e bukur për shkak të diversitetit të saj, ashtu siç e çmojmë trashëgiminë tonë gjuhësore, ta ruajmë edhe atë të të tjerëve. Le të ruajmë jo një thesar gjuhësor, por edhe lidhjet që ajo ka krijuar”, theksoi ambasadori britanik.

Drejtori i Seminarit, Bardh Rugova, vuri theksin në rrezikun që i kanoset sot gjuhës shqipe.

This image has an empty alt attribute; its file name is Hapja-e-Seminarit-te-41-te-Nderkombetar-per-Gjuhen-Letersine-dhe-Kulturen-Shqiptare-Prishtine-1.jpg

“Secili fjalim i secilit drejtor të këtij seminari na përkujton shpërfilljen e kësaj shoqërie ndaj shqipes. Shqipja ka status të pafavorshëm në vendet ku është pakicë, ndërsa folësit e brezit të dytë dhe të tretë të shqipes në mërgim shndërrohen gradualisht në gjysmëfolës, para syve tanë. Departamentet e shqipes në botë, në ndikim edhe të Sistemit të Bolonjës dhe ndërrimit të paradigmës dhe ndoshta të vetë përkufizimit të universitares, po zvogëlohen dhe po shuhen, e ne nuk po bëjmë gjë”, tha ai.

Rugova tha se Seminari ka pasur një rrugëtim të vëshirë gjatë historisë së tij, por e ka përballuar me sukses dhe ka arritur të lë gjurmë.

“Që Prishtina të jetë qendër u ka penguar shumëkujt, dikur. E ja ku jemi, drejtues e të suksesshëm. Mirëpo të gjithë ne që merremi me emergjenca shkojmë, por çka mbetet është kultura, të dashur miq. Vetë shëmbëlltyra e tij mbetet”, u shpreh Rugova.

Ai tha se ky Seminar ka dhënë shumë albanologë të huaj që kanë dhënë kontribut shumë të rëndësishëm për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

“Ne me mburrje mund të themi se në këto 50 vite të këtij seminari kemi arritur të prodhojmë albanologë nëpër botë. Thuajse nuk ka asnjë albanolog të rëndësishëm botëror që nuk ka qenë në një formë apo në një tjetër ose që nuk ka kaluar përmes këtij seminari. Prej tyre po i përmendi akademikët, si: Sawicka, Friedman, i ndjeri Robert Elsie, etj, që fjalët e para të shqipes i kanë mësuar pikërisht kur kanë qenë të rinj, në këtë seminar”, theksoi Rugova.

This image has an empty alt attribute; its file name is Hapja-e-Seminarit-te-41-te-Nderkombetar-per-Gjuhen-Letersine-dhe-Kulturen-Shqiptare-Prishtine.jpg

Në Seminarin e sivjetmë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të marrin pjesë afër 120 vijues të tri niveleve të kursit të gjuhës shqipepër të huajt. Numri më i madh i tyre ka ardhur nga Polonia, Austria, Gjermania, Bullgaria, Danimarka, Spanja, Rumania, Serbia, Britania e Madhe dhe Greqia. Marrin pjesë edhe disa arbëreshë të Italisë.

“Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi” janë temat kryesore të sesionit shkencor të Seminarit, gjatë të cilit do të paraqiten me kumtesa, me referime shkencore dhe ligjërata albanologë e studiues të huaj e të vendit. Ndër studiuesit e huaj vlen të veçohen: Michiel de Vaan, një prej studiuesve më të mirë të gjuhësisë indo-evropiane që është marrë shumë edhe me shqipen, Stefano Canalis, studiues Italian që është marrë shumë me tekstin e shqipes, David Hosaflook, i cili është marrë me lëvizjen protestante në Shqipëri, Konrad Clewing, i cili është marrë me çështje të historisë politike që lidhen me shqiptarët, Oliver Schmitt, njëri prej historianëve dhe albanologëve më në zë në botë, Ranko Matasoviq, studiues kroat që është marrë me studime për ilirët, e të tjerë.

Në programin e Seminarit të sivjetmë janë edhe disa programe kulturore e artistike si edhe disa ekskursione e vizita me karakter njohës e studimor.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974. Ideja për themelimin e këtij seminari ishte e akademik Rexhep Ismajlit, atëherë asistent në katedrën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ajo ishte realizuar me mbështetjen e strukturave drejtuese të universitetit dhe të organeve qeverisëse në Kosovë, përkundër rezistencës së qarqeve politike antishqiptare dhe vështirësive të natyrave nga më të ndryshmet.

Pas vitit 1981, Seminari ishte vënë në shënjestër të qarqeve antishqiptare, prandaj pjesëmarrja e studiuesve nga Shqipëria si edhe e studiuesve të huaj ishte reduktuar në minimum. Në vitin 1991, Seminari ishte ndaluar nga organet e dhunshme serbe në Universitetin e Prishtinës. Për këtëarsye, më 1995 dhe më 1996 seminari ishte mbajtur në Tiranë, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Prej vitit 2000 Seminari është rikthyer në Prishtinë.

(r.m.)