Në Prizren u mbajt një protestë kundër një performance të DOKUFEST-it

Prishtinë, 11 gusht 2023 – Të premten në Prizren është mbajtur një protestë kundër një performance të realizuar në hapje të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DOKUFEST, që mbahet në këtë qytet.

Protesta është thirrur në shenjë revolte ndaj një performance të grupit kanadez “Peaches”, e cila  u shfaq në hapje të edicionit të sivjetmë të festivalit. Performanca përcjell mesazhin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të komunitetit LGBT të drejtës së abortit dhe të të drejtave të tjera të grupeve të margjinalizuara.

Qytetarët e mbledhur në Sheshin “Shatërvan” kanë mbajtur në duar pankartat: “Dokufest i keq”, “Jo degjenerimit”, “Drogën larg fëmijëve tanë”, “Prizreni, qytet i historisë”, e të tjera.

Pankarta “Jo me tatimet tona” dhe “Jo poshtërimit” janë parë edhe në oborrin e xhamisë kryesore në këtë qytet.

Pjesëmarrës të protestës thanë se shfaqja e grupit “Peaches” kishte “elemente erotike perverse”, gjë që, siç u shprehën, “nuk përkon assesi me traditën dhe kulturën tonë”.

Protesta është thirrur nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit. Kryetari i Bashkësisë, Besim Berisha, ka thënë se shfaqjet e këtij lloji përbëjnë rrezik për degjerimin e shoqërisë.

 “Rreziku i degjenerimit nuk e arsyeton asnjëherë asnjë përfitim material e prestigjioz”, është shprehur ai.

Drejtori artistik i festivalit “DOKUFEST”. Veton Nurkollari, ka thënë se koncerti i grupit “Peaches” nuk është mbajtur në hapjen zyrtare të festivalit dhe se në atë koncert kanë marrë pjesë vetëm personat që kanë pasur bileta, të gjithë mbi 18-vjeç.

“Shfaqja është mbajtur në hapësirë t mbyllur, brenda parkut të Marashit, pas orës 1:30 të natës dhe vetëm për një audiencë mbi 18 vjet”, ka thëënë ai.

Nurkollari ka thënë se programi i festivalit hartohet në harmoni me të drejtat universale të njëriut, përfshirë lirinë e shprehjes, të cilat garantohen në Kushtetutën e Kosovës. Ai ka shprehur shqetësimin se gjatë protestës së thirrur nga Bashkësia Islame e Kosovës kishte edhe elemente të nxitjes së urrejtjes.

“Ne kuptojmë se mund të ketë mospajtime rreth aspektit artistik të ngjarjeve në festival, qofshin ato performanca muzikore apo shfaqje të filmave, por na duhet të përkujtojmë të gjithë se, për fat të mirë, jetojmë në një vend të lirë dhe demokratik, ku liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutë. Dhe në të njëjtën kohë shprehim shqetësimin tonë për nxitjen e urrejtjes dhe dhunës gjatë protestës, e cila ishte paralajmëruar të jetë paqësore”, tha zoti Nurkollari.

“DOKUFEST” është njëri ndër festivalet më të rëndësishme të filmit dokumentar dhe të filmit të metrazhit të shkurtër në botë, prandaj konkurrenca për pjesëmarrje në këtë festival është shumë e fortë.

Festivali i këtij viti, i cili është hapur më 4 gusht, do të përfundojë të shtunën, më 12 gusht. Në programin e këtij festivali ishin rreth 250 filma nga 111 shtete të ndryshme të botës.

Pamje nga protesta në Prizren.Mbishkrimet janë parë edhe para xhamisë.

(r.m.)