Banjallukë, 9 qershor 2025 – Në Republikën Sërpska, në Bosnjë e Hercegovinë, është arrestuar kryetari i Partisë Demokratike Serbe, Milan Miliçeviq, të hënën, në qytetin Tesliq.
Ministria e Punëve të Brendshme e këtij entiteti njoftoi se në Tesliq janë arrestuar tre persona, të cilët janë shënuar vetëm me ininiciale (M.M., M.D. dhe M.J.), të gjithë nga qyteti Tesliq.
Në njoftim thuhet se arrestimi i tyre është bërë gjatë një aksioni të zhvilluar nga oficerët e Drejtorisë së Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska, nën mbikëqyrjen e Departamentit Special për Luftimin e Korrupsionit dhe të disa departamenteve të tjera.
Sipas njoftimit, të tre të arrestuarit janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale të ndikimit dhe pranimit të ryshfetit.
Në njoftim thuhet, gjithashtu, se oficerët e policisë i kanë sekuestruar rreth 45.000 euro, të cilat dyshohet se buronin nga veprimet korruptive të tre të arrestuarve. Këto para do t’i dorëzohen Prokurorisë së Republikës Sërpska si provë të veprave penale të kryera nga tret ë arrestuarit.
Partia Demokratike Serbe në Teslliq e cilësoi arrestimin e kryetarit të saj si akt të motivuar politikisht.
“Kjo është një përpjekje e dukshme për frikësim politik, duke krijuar kaos dhe dhunë kundër vullnetit të shprehur të qytetarëve”, tha kjo poarti në reagimin e saj lidhur me arrestimin e Miliçeviqit.
Partia Demokratike Serbe është partia më e madhe opozitare në Republikën Sërpska, ku sundojnë socialdemokratët e Milorad Dodikut, liderit autoritar që angazhohet për shkëputjen e këtij entiteti nga Bosnja e Hercegovina dhe bashkimin me Serbinë. Ai është akuzuar dhe është shpallur person në kërkim për veprimet e tij kundër rendit kushtetues të Bosnjës e Hercegovinës.
Milorad Dodik është njëri ndër mbështetësit e mëdhenj e të deklaruar hapur të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
(r.m.)