Në Rusi, shpërthen lufta mes ushtrisë dhe grupit Wagner

Moskë, 24 qershor 2023 – Lufta për pushtet mes grupit Wagner dhe ushtrisë së rregullt ruse është shkallëzuar. Trupat e Wagnerit kanë marrë kontrollin në qytetin Rostov, ndërsa në Moskë e rrethinë është shpallur gjendja e alarmit.

Konflikti ziente prej kohësh, por tani ai ka shpërthyer hapur. Nga Rusia njoftohet për një kryengritje të mundshme të kreut të ushtrisë private të Jevgeni Prigozhinit, Wagner, kundër ushtrisë së rregullt ruse.

Kreu i Wagnerit, Prigozhin, sipas raportimeve të tij, me ushtarët që kanë qenë në Ukrainë ka arritur  në Rusi. Në një video të publikuar në Telegram, ai ka thënë se ushtarët e tij kanë mbërritur tashmë në Rostov mbi Don dhe e kanë marrë kontrollin në këtë qytet.

“Godinat ushtarake në Rostov, mes tyre edhe një aeroport ushtarak janë nën kontroll”, ka thënë Prigozhin.

Ai ka thënë se hyrja në Rostov mbi Don nuk e pengon “operacionin special ushtarak” të Rusisë.

“Nga aeroporti ushtarak avionët vazhdojnë të ngirhen sipas planit”, ka thënë Prigozhin.

“Avionët (…) ngrihen sipas orarit”, ka shtuar ai.

Prigozhin ka thënë se do të negociojë me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergej Shoigun, dhe ka theksuuarr se ky aksion nuk është puç ushtarak, ndërsa Moskën e akuzoi për sulme kundër trupave të tij.

Ai ka theksuar se bashkë me ushtarët e tij janë gati të veprojnë kundër ushtrisë ruse dhe të shkojnë deri në Moskë, nëse Shoigu dhe kreu i shtabit të përrgjithshëm të ushtrisë ruse e sulmojnë grupin e Wagnerit.

“Do të shkatërojmë këdo që na del përpara”, ka thënë ai.

Në një njoftim të tjetër thuhet se ishte qëlluar një helikopter rus që kishte hapur zjarr kundër një konvoji civil.

Më parë kreu i ushtrisë private Wagner ishte shprehur hapur kundër lidershipit ushtarak rus dhe e kishte kundërshtuar argumentimin e njohur të Rusisë për luftën në Ukrainë, se Rusisë i vjen një rrezik prej Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes në Moskë u bëri thirrje ushtarëve Wagner të mos i ndjekin urdhrat e Prigozhinit, duke iu thënë se “janë mashtruar e janë futur në një aventurë kriminale”.

Ministria premtoi se siguria e tyre do jetë e garantuar.

Shërbimi sekret rus,FSB, u ka bërë thirrje ushtarëve të grupit Wagner që ta arrestojnë shefin e tyre.

“Ne u bëjmë thirrje luftëtarëve të ushtrisë private, (…) të ndalin të gjiha veprimet ushtarake kundër popullit rus, të mos i ndjekin urdhrat kriminale dhe tradhtare të Prigozhinit dhe të marrin masa për arrestimin e tij”, thuhej në një deklaratë të FSB-së.

FSB ka thënë se deklaratat e Prigozhinit janë “thirrje për konflikt të armatosur civil brenda territorit rus.”

Në qendër të Moskës kanë dalë në rrugë tanket. Në kryeqytetin rus janë rritur masat e sigurisë dhe të gjitha objektet e rëndësishme janë nën vëzhgim të shtuar, ka bërë të ditur agjencia shtetërore TASS.

Komiteti për Luftimin e Terrorizmit e ka shpallur gjendjen e alarmit në Moskë dhe në zonat përreth.

(r.m.)