Në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë diskutohet për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian

Tiranë, 16 tetor 2023 – Udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor u pritën nga kryeministri Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë, për të vazhduar më pas Samitin e Procesit të Berlinit.

Pas ceremonisë së pritjes, liderët iu drejtuan Piramidës, aty ku po zhvillohen punimet e Samitit.

Në hyrje të Samitit, kryeministri Edi Rama vuri theksin te ndasitë mes vendeve anëtare dhe atyre jo anëtare të Bashkimit Europian. Sipas tij, premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar.

“Sfida më e madhe politike është ndarja e dhimbshme mes anëtarëve të BE dhe jo anëtareve. Të jetosh pa BE-në nuk është e lehtë. A mund t’i përballojmë këto ndasi? Premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar, sidomos kur krahasohet me mendësinë transformuese që ka sjellë”, tha Rama.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, njëherazi ‘arkitekti’ i Procesit të Berlinit, deklaroi se samiti i Procesit të Berlinit provoi rëndësinë e pamohueshme të Ballkanit Perëndimor në union. Sipas Scholz, ndikimi i marrëveshjeve të firmosura vitin e kaluar të Procesit të Berlinit kanë qenë konkrete dhe priten edhe të tjera. Megjithatë, pas agresionit në veri të Kosovës, ka ardhur koha që të tejkalohen konfliktet që mbajnë rajonin në vend numëro.

Edhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, theksoi rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Michel tha se të dyja palët duhet të jenë gati për zgjerim deri në vitin 2030-të.

“Zgjerimi është investim në paqen dhe begatinë e BE-së dhe anëtarëve tanë të ardhshëm. Rrugëtimi juaj ka nisur më shumë se 20 vite më parë në BE. Ka qenë një rrugë shumë e ngadaltë. Zhgënjyese. Por tani, besoj që duhet të jemi gati në të dyja anët deri në 2030-ën për t’u zgjeruar. Lufta në Ukrainë e ka përqendruar vëmendjen tonë te zgjerimi”.

Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tregoi qëllimin e unionit për t’i dhënë qasje Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian.

“Për këtë arsye kam prezantuar planin e rritjes. Duam që t’u japim qasje në tregun e përbashkët europian. Për këtë, na duhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe ata që kanë vullnetin të reformohen, do të marrin financim nga Bashkimi Europian. Është një stimul për ata që vërtet duan të ecin përpara. Dyert tona janë të hapura, kështu që le të punojmë për këtë të çuar para këtë plan rritjeje”, tha ajo.

(Top-Channel)