Prishtinë, 5 shkurt 2026 – Mithat Lozhani, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar të enjten paradite nga autoritetet në Serbi, njoftuan Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci.
Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha se Lozhani është arrestuar në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë dhe se gjatë kontrollit trupor atij i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.
Sipas Sylës, Llozhani ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit të luftës në Kosovë.
Avokati Koci tha se Llozhani është arrestuar reth orës 11:00, derisa po udhëtonte për në Gjermani.
Koci tha se ky arrestim nuk është një rast i izoluar, pasi arrestimet e shtetasve të Kosovës që kalojnë transit nëpër Serbi po përsëriten. Ai kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë për këto arrestime, pa përjashtuar edhe masa politike, përfshirë edhe “mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”.
“… mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, shkroi Koci në Facebook.
Deri më tash nuk është njoftuar se me çfarë pretendimesh është arrestuar Lozhani.
Serbia i ka arrestuar disa shtetas të Kosovës me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës në Kosovë më 1998-’99. Shumica prej tyre janë arrestuar si ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë viteve ’90, Serbia e kishte shpallur UÇK-në organizatë terroriste. Ajo vazhdon të konsiderohet si e tillë edhe sot e kësaj dite, ndërsa pjesëtarët e saj, pa dallim, konsiderohen si kriminelë të luftës.
Rastet e të arrestuarve në Serbi, sipas burimeve në Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës:
Arbnor Spahiu – i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.
Lulzim Halili – i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.
Sasha Gjorgjeviq – i arrestaur në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.
Behar Preniqi – i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.
Hazir Haziri – i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; u lirua në janar 2026.
Avni Qenaj – i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.
Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq – pjesa veriore e Kosovës – më 1 nëntor.
Më 14 gusht, autoritetet serbe njoftuaan se i ndaluan edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata u liruan.
(Radio Evropa e Lirë)