Në Serbi, studentët kërkojnë zgjedhje të parakohshme, Vuçiq e shpërfill kërkesën e tyre

Beograd, 17 maj 2025 – Të dielën, në të njëjtën kohë, në Serbi u mbajtën tri tubime: një tubim i organizuar nga pushteti dhe dy tubime protestuese të organizuara nga studentët që kërkojnë ndryshime.

Në qytetin e Nishit, qytetin e tretë më të madh në Serbi, u mbajtën njëkohësisht një tubim i partisë në pushtet dhe një protestë e studentëve të pakënaqur me qeverisjen.

Në Sheshin “Mbreti Milan” u mbajt tubimi i “Kuvendit gjithëkombëtar” që u organizua nga partia në pushtet, Partia Progresive Serbe e Presidentit të vendit, Aleksandar Vuçiq, ndërsa disa qindra metra më tutje, në sheshin Mbreti Aleksandar, u mbajt protesta e studentëve që e kanë bllokuar punën e universiteteve publike në Serbi.

Një studente që iu drejtua pjesëmarrësve të protestës antiqeveritare tha se në qytetin e Nishit të shtunën u “përplasën e vërteta dhe gënjeshtra”.

“Dita e sotme nuk është një ditë e zakonshme. Sot në dy sheshe të qytetit tonë përplasen e vërteta dhe gënjeshtra. Në qytetin tonë sot mbajnë tubim përfaqësuesit e pushtetit jolegjitim, por ne po ua bëjmë të qartë se ky është qyteti ynë, është qyteti i ediktit dhe jo i diktatit”, tha studentja Milica Najdanoviq para pjesëmarrësve të protestës

Nga ky tubimi u përsërit edhe një herë kërkesa e studentëve për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

“Duam zgjedhje, për t’i çliruar institucionet të cilat duhet t’i plotësojnë të gjitha kërkesat tona”, theksoi ajo.

Por, nga tubimi “gjithëpopullor” i pushtetit e morën përsëri përgjigjen refuzuese të Vuçiqit, i cili e cilësoi si “histori të përfunduar” çështjen e kërkesave të studentëve.

“Tash e tutje do ta dëgjoj vetëm popullin”, theksoi ai.

Vuçiq i cilësoi protestat e studentëve si “përpjekje të dështuara të revolucionit me ngjyra”, siç i kishte cilësuar edhe në takimin e tij të fundit me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Moskë, një javë më parë.

“E kemi paguar shtrenjtë përpjekjen e revolkucionit me ngjyra, por nuk duhet të vajtojmë. Duhet të luftojmë më shumë për Serbinë”, u shpreh ai.

Një tubim protestues i studentëve të pakënaqur me qeverisjen aktuale në Serbi u mbajt edhe në qytetin më verior të Serbisë, Suboticë. Nga kjo protestë u bë thirrje që në Serbi të organizohet përsëri një bllokadë e plotë gjithëditore, si ajo e 15 marsit, në mënyrë që pushtetit t’i përcillet fuqishëm kërkesa për ndryshime në Serbi.

(r.m.)