Në SHBA shtohen thirrjet për dorëheqen e senatorit Menendez

Uashington, 26 shtator 2023 – Senatori amerikan Bob Menendez po u reziston thirrjeve në rritje për dorëheqjen e tij, pas akuzave se ka marrë ryshfete. Por ndërsa kori i atyre që po i kërkojnë të largohet nga detyra edhe brenda partisë së tij po rritet, disa nga figurat kryesore demokrate në senat po tregohen më të përmbajtur.

Që kur prokurori i distriktit jugor të Nju Jorkut, Damian Williams shpalli aktpadinë kundër senatorit Menendez për marrje ryshfetesh, thirrjet për dorëheqjen e tij janë shtuar, përfshirë nga anëtarët e partisë së tij demokrate e veçanërisht Guvernatori i Nju Xhersit, i cili mund të emërojë në vend të tij një senator të përkohshëm nëse zoti Menendez jep dorëheqjen.

Senatorëve demokratë John Fetterman, Sherrod Brown dhe Peter Welch që kishin bërë thirrje për largimin e tij, iu shtuan të martën edhe Tammy Baldwin, Bob Casey dhe Jon Tester, si edhe senatori i shtetit të tij Nju Xhersi, Corey Booker.

Zoti Menendez thotë se këto thirrje bëhen nga njerëz që duan të përfitojnë polikisht.

“Në vend që të presin sa të paraqiten të gjitha faktet, disa persona po nxitojnë të nxjerrin përfundime, sepse shohin një mundësi politike për veten ose për ata që kanë përreth. Gjithçka që kërkoj në këtë moment nga kolegët e mi në Kongres, udhëheqësit e zgjedhur dhe të tjerë me të cilët kam punuar për vite me rradhë, si dhe të gjithë qytetarët e Nju Xhersit, është që të presin derisa të paraqiten të gjitha faktet”, tha ai.

Megjithë zërat që kanë kërkuar dorëheqjen brenda partisë së tij ka nga ata që janë treguar të përmbajtur. Mes tyre bien në sy udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, i cili ka thënë se senatori i Nju Xhersit ka të drejtën e procesit të rregullt ligjor, si edhe drejtuesi i grupit të demokatëve në Senat, Dick Durbin.

Senatori Menedez ka dhënë dorëheqjen përkohësisht nga roli i tij si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, për shkak të akuzave.

Vendimi i tij për të qëndruar në Senat mund të ndërlikojë përpjekjet e partisë së tij për të ruajtur shumicën e ngushtë 51-49, megjithëse Nju Xhersi nuk ka zgjedhur një republikan në Senat që nga viti 1972.

Zoti Menendez i hodhi poshtë akuzat për marrje ryshfetesh dhe tha se paratë e gjetura në shtëpinë e tij ishin nga kursimet e tij personale.

“E kuptoj që kjo do të jetë beteja ime më e rëndësishme deri tani, por siç e kam thënë gjatë gjithë këtij procesi, kam besim të plotë se kur të paraqiten të gjitha faktet, jo vetëm që do të dal i pafajshëm, por do të jem ende senatori i lartë i Nju Xhersit”, tha ai.

Senatori akuzohet se ka marrë qindra mijëra dollarë para në dorë dhe shufra ari në këmbim të shërbimeve për qeverinë egjiptiane dhe se ka ndërhyrë në hetimet ndaj tre biznesmenëve.

Prokurorët thonë se ai u takua me zyrtarë të ushtrisë dhe zbulimit egjiptian, u dha atyre informacione jopublike për punonjësit e Ambasadës së SHBA-së në Kajro dhe shkroi një letër në emër të Egjiptit ku u kërkohej kolegëve të tij të Senatit që të zhbllokonin një ndihmë me vlerë 300 milionë dollarë për atë vend.

(Zëri i Amerikës)