Shkup, 13 gusht 2024 – Në Maqedoninë e Veriut, partitë shqiptare të pushtetit dhe ato në opozitë po e shënojnë 23 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit të ndara dhe me akuza ndaj njëra tjetrës për mënyrën e zbatimit të saj. Në të vërtetë, marrëveshja që i dha fund konfliktit të armatosur midis kryengritësve shqiptarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave ushtarake e policore maqedonase dhe solli paqen e brishtë në vitin 2001, duhej zbatuar deri në vitin 2004, por edhe pas 23 vjetësh nga nënshkrimi i saj, ende ka ankesa se ky dokument nuk po zë vend në praktikë në të gjitha fushat.
Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili atë kohë ishte drejtues politik dhe ushtarak i ish-Ushtrisë Çlitimtare Kombëtare dhe bashkërendonte qëndrimet me drejtuesit politikë shqiptarë në bisedime, sot ka përshtypjen se pushteti po heq dorë nga Marrëveshja e Ohrit, për shkak të heqjes së atij që njihet si balansues dhe që synonte sistemimin e nëpunësve në adminstratën shtetërore sipas përkatësisë etnike në bazë të përqindjes së popullatës dhe për shkak të emërimit për ministër të Marrëdhënieve me Komunitetet të një pjesëtari të komunitetit serb i dyshuar për afërsinë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe me shërbimet inteligjente serbe e ruse:
“Prandaj, ne jemi dalëzotës të dinjitetit tonë kombëtar dhe të shtetformimit të mirëfilltë të Republikës tonë që ne nuk shohim të ardhme diku tjetër, sepse nuk jemi të dyndur dhe të ardhur nga ndonjë vend i largët, por vijmë gjysh-pas-gjyshi, bashkë me diellin në këto hapësira. Fatet e këtij vendi i ndajmë bashkë me komunitetin maqedonas, dhe bashkë do të jemi më të fortë”, u shpreh zoti Ahmeti.
Fronti Evropian, ku bën pjesë edhe krahu i Aleancës për Shqiptarët i zotit Ziadin Sela, vlerëson se në vend po bëhen përpjekje për rrënimin e paqes që e arriti Marrëveshja e Ohrit:
“Ne do të mbrojmë atë që quhet paqe; ne do të mbrojmë atë që u arrit nëpërmjet Marrëveshjes kornizë të Ohrit, por në të njejtën kohë ne do të veprojmë sipas një ndër postulateve kryesore që Marrëveshja e Ohrit ka. Marrëveshja e Ohrit ishte marrëveshje që u bë për të drejtën, dinjitetin, lirinë dhe barazinë e qytetarëve”, theksoi zoti Sela.
Fronti Evropian tash me kalimin në opozitë, synon ndryshimin e sistemit shtetëror dhe bërjen sipas modelit të Belgjikës, Irlandës Veriore dhe Zvicrës.
Partitë e Frontit Evropian me BDI-në në krye nuk pranuan të bëheshin pjesë e shënimit të përvjetorit të kësaj ngjarjeje të organizuar nga qeveria.
Kryeministri Hristijan Mickovski në të kaluarën nuk ka theksuar ndonjë mbështetje për këtë Marrëveshje, por sot tha se gjërat duhet shikuar me një dozë objektiviteti dhe duhet parë kontributin që ka sjellë marrëveshja:
“Duhet të jemi të drejtë dhe të themi se miratimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit në atë kohë nuk i bëri të lumtur plotësisht asnjërën prej palëve nënshkruese, por marrëveshja e solli atë që në ato momente ishte më e kërkuar dhe kjo ishte paqja”, tha ai. “Nga ky aspekt, ky shtet është atdhe i përbashkët i të gjithëve dhe partiotizmi i përbashkët do të thotë ndërtimi i jetës nën një kulm të njejtë dhe luftë për një jetesë më të mirë nën qiellin e njejtë”, u shpreh kryeministri maqedonas.
Izet Mexhiti, zëvendës-kryeministër i Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut thotë se kjo qeveri ka kapacitet dhe besim për ruajtjen e paqes në të gjithë vendin, për ngritjen e standardeve të qytetarëve dhe përfshirjen dhe integrimin e tyre.
“Nuk është vetëm në fjalë por edhe në veprim. Dua ta faleminderoj publikisht kryeministrin dhe qeverinë e re që 1 miliardë euro do të ndajë për komunat, për decentralizimin e cila është shtyllë e Marrëveshjes së Ohrit”, tha zoti Mexhiti.
Marrëveshja e Ohrit qe nënshkruar dhe nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, ambasadori James Pardew si i dërguar i Shteteve të Bashkuara dhe François Leotard, i dërguar i Bashkimit Evropian.
Edhe tre nga drejtuesit politik në Maqedoninë e Veriut të përfshirë në arritjen e këtij dokumenti paqësor Arbën Xhaferi, Imer Imeri dhe Boris Trajkovski nuk jetojnë më, ndërsa Branko Cërvenkovski dhe Lubço Georgievski nuk janë aktivë në politikë.
Megjithatë, partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut në veçanti vazhdojnë ta shikojnë komunitetin ndërkombëtar si garantuesin kryesor të realizimit të marrëveshjes.
(Zëri i Amerikës)