Në Shqipëri, arrestohen 20 të dyshuar për trafik droge nga Lindja e Mesme në vendet e BE-së

Tiranë, 27 qershor 2023 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi se, pas hetimeve dy vjeçare, janë ndaluar 20 anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal që ka trafikuar nga vendet e Lindjes së Mesme në Itali dhe në shtete të tjera të Bashkimit Evropian lëndë narkotike me vlerë rreth 2.7 milionë euro. Mes të ndaluarve është dhe një punonjës i Policisë së Shtetit, i akuzuar për korrupsion pasiv. Njëri prej personave nën hetim nuk është gjetur dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

SPAK njoftoi të martën, më 27 qershor, se operacioni antidrogë është rralizuar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë italiane dhe në koordinim me EUROJUST.

Prokurori i SPAK-ut, Vladimit Mara, njoftoi se hetimi lidhur me këtë grup të strukturuar kriminal është bazuar në shkëmbimin e informacioneve me seksionin Antimafia në Prokurorinë e Firences, në Itali.

“Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal është konstatuar se të dyshuarit e këtij aktiviteti kriminal kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, duke trafikuar lëndë narkotike nga vendet e Lindjes së Mesme,Turqi, Greqi, si dhe vende të tjera drejt Shqipërisë e më pas me destinacion Italinë dhe vendet e tjera të BE-së”, deklaroi Mara në një konferencë për shtyp.

Ai tha se pas një hetimi dy vjeçar, është bërë i mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të 21 anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, të përfshirë në disa raste të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë, marijuanë, risinë që është siguruar nga vende të Lindjes së Mesme, drejt Shqipërisë dhe nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Italisë e vendeve tjera të BE-së.

Sipas Marës, në 8 raste janë sekuestruar sasi të mëdha të lëndëve narkotike, që arrijnë një vlerë prej rreth 2.7 milionë eurosh.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e ka pranuar kërkesën e SPAK-ut për caktimin e masave të sigurisë për 21 të arrestuarit, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Për korrupsion akuzohet një punonjës i Policisë në Shkodër.

Gjatë realizimit të operacionit janë sekuestruar automjete, pajisje kompjuterike, aparate celulare dhe vlera monetare, të cilat do të përdoren si prova materiale në proocesin penal ndaj pjesëtarëve të grupit.

(r.m)