Në Shqipëri, arrestohet një mbështetës e propagandist i ISIS-it nga Kavaja

Tiranë, 12 prill 2023 – Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) njoftoi sot se ka arrestuar 45 vjeçarin Gentian Çollaku, nën dyshimet se bënte thirrje publike dhe propagandë me qëllime terroriste. Sipas prokurorëve “ai shfaq një profil të lartë radikal, duke pranuar se është mbështetës dhe ndjekës i drejtuesve të ISIS-t”.

Hetimet ndaj tij kishin nisur në fillim të vitit 2021, pasi Drejtoria e Antiterrorit kishte konstatuar se nga një profil në Facebook ishin publikuar foto me luftëtarë të armatosur të ISIS apo edhe foto të liderit të organizatës terroriste të njohur me emrin Abu Bakr al-Baghdadi.

Hetimet e mëtejshme zbuluan se Çollaku kishte hapur 16 profile në Facebook, me emra të ndryshëm. Prokurorët morën informacione zyrtare dhe nga kompania Google, për të identifikuar përdoruesin e adresave të emailit të shfrytëzuara për hapjen e llogarive në Facebook.

Në këto llogari, sipas Prokurorisë së posaçme, janë publikuar materiale propogandistike pro organizatës dhe ideologjisë së Shtetit Islamik (ISIS), apo dhe në mbështetje të imamëve shqiptarë të dënuar kohë më parë për terrorizëm. Çollaku, banues në Kavajë, po ashtu dyshohet se ka mbajtur lidhje dhe kontakte me elementë radikalë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa vetë, sipas rezultateve të hetimit, ka bërë thirrje publike, te ndjekësit e tij, për luftë në mbështetje të Shtetit Islamik dhe për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.

(Zëri i Amerikës)