Në Shqipëri, borxhet ndaj OSHEE arritën rreth 750 milionë euro

Tiranë, 9 nëntor 2023 – Detyrimet ndaj kompanisë publike të shpërndarjes arritën në fund të këtij shtatori nivelin më të lartë të regjistruar nga viti 2009 e në vazhdim, sipas të dhënave të publikuara periodikisht nga Enti Rregullator i Energjisë.

Sipas këtyre treguesve borxhet që katër kategori klientësh kanë ndaj OSHEE-së ishin mbi 80 miliardë lekë apo rreth 750 milionë euro. Kjo shifër ishte me një rritje prej 0.26 për qind në raport me fundin e vitit 2022. Ecuria e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura nuk ka qenë e njëjtë në tendencë në katër grupet.

Familjarët të cilët kanë edhe më shumë se gjysmën e detyrimit kanë vijuar ta ulin atë në fund të shtatorit 2023 krahasuar me fundin e vitit të shkuar. Kështu ky nivel ishte 44.4 miliardë lekë apo 414 milionë euro. Kjo shifër është ulur me 1.8 për qind në raport me fundin e vitit 2023.

Tendencë uljeje kanë pasur edhe detyrimet nga insitucionet buxhetore të cilat shënuan në fund të shtatorit një nivel prej 4.7 miliardë lekë apo rreth 44 milionë euro. Ulja në raport me fundin e vitit të shkuar është në një nivel prej 1.65 për qind.

Ndërkohë dy grupe të tjera kanë shënuar rritje të detyrimeve të pashlyera pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Bëhet fjalë për bizneset si dhe për insitucionet jobuxhetore ku bëjnë pjesë ndërmarrjet e ndriçimit të qytetit, spitale, ujësjellës.

Kështu sa i takon jo buxhetoreve borxhi i raportuar deri në fund të këtij shtatori është 18. 8 miliardë lekë apo rreth 176 milionë euro. Në raport me fundin e vitit të shkuar ky borxh rezulton me një rritje prej 3.5 për qind.

Sa i takon privatëve ku përfshihen bizneset borxhi i tyre arriti sipas të dhënave 12.1 miliardë lekë apo rreth 114 milionë euro. Kjo shifër është me rritje rreth 4 për qind në raport me fundin e vitit 2022.

Borxhet e prapambetura ndaj kompanisë publike kanë qenë në luhatje të vazhdueshme duke u ulur dhe rritur vit pas viti por prej 2018-ës dhe në vazhdim tendenca rritëse ka qenë konstante.

Teksa për familjarët OSHEE aplikoi aktmarrëveshjet një plan veprimi për shlyerjen e detyrimeve u vu në veprim edhe për ujësjellësit të cilët gjithsesi në vitin 2022 u vunë në vështirësi për shkak të krizës së energjisë dhe pesha e kësaj të fundit në shpenzimet e tyre finale ishte e lartë.

(Monitor.al)