Në Shqipëri dhe Itali, goditet një ndër organizatat kriminale ‘më të rrezikshme’ me qendër në Durrës

Tiranë, 21 maj 2025 – Një hetim 5-vjeçar i Prokurorisë së Posaçme dhe asaj të Barit u mbyll me 51 masa sigurie ndaj anëtarëve të një organizate kriminale të trafikut të kokainës me bazë në Durrës – mes të cilëve u shpall në kërkim edhe Elvis Doçi, i njohur ndryshe si Visi i Pojës.

Përmes një konference të përbashkët, prokurorët e SPAK, Prokurorisë së Barit në Itali dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit deklaruan goditjen e një organizate të trafikut ndërkombëtar të drogës me qendër në Durrës, të cilën kreu i SPAK, Altin Dumani e konsideroi si një ndër më të rrezikshmet dhe kryesoret në vend.

Për më shumë se gjysmë ore, prokurorët shqiptarë dhe italianë vendosën theksin në rezultatet e bashkëpunimit në këtë hetim të zhvilluar gjatë periudhës 2020-2025, i koduar me emrin “Ura”.

Prokurori Vladimir Mara deklaroi më pas se është dokumentuar veprimtaria e paligjshme e kësaj organizate në Shqipëri, në Pulia e në gjithë Italinë, në Gjermani dhe Holandë, si dhe në vende të Amerikës Latine prej nga sigurohej lënda narkotike e llojit kokainë.

Sipas konferencës për shtyp, Gjykata e Posaçme ka lëshuar 29 masa sigurimi “arrest me burg” në Shqipëri, mes të cilëve edhe ndaj Elvis Doçit, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës” dhe i dyshuar si një ndër drejtuesit e organizatës. Doçi, i cili e ka marrë nofkën “Visi i Pojës” për shkak të lidhjes familjare me Xhevdet Troplinin, i ka shpëtuar arrestimit gjatë operacionit dhe është shpallur në kërkim.

Ndërkohë, në Itali janë lëshuar gjithashtu 22 masa sigurie ndaj anëtarëve të tjerë të organizatës.

Prokurori Vladimir Mara tha se hetimet kanë dokumentuar 30 episode të trafikut të drogës në Itali dhe 10 raste të tjera në Shqipëri dhe në vende të tjera të Evropës. Për të realizuar këtë hetim sipas Marës, janë përdorur edhe të dhënat nga aplikacionet SKY ECC.

Po ashtu, janë dokumentuar edhe 30 transaksione të dërgimit të parave nga Italia drejt Shqipërisë me vlerë rreth 5 milionë euro. Pasuritë dhe vlerat cash të sekuestruara u tha se kapin vlerën e rreth 7 milionë eurove. Mara tha se janë sekuestruar 3 restorante dhe një bar-kafe në Durrës, gjashtë shoqëri dhe një stacion televiziv privat në Vlorë.

Sipas prokurorëve italianë që kanë hetuar këtë çështje, janë dokumentuar me pamje flimike rastet e transportit të parave nga Italia drejt Shqipërisë përmes shoferëve të autovusëve të linjave të transportit të udhëtarëve.

Dy prej të proceduarve janë punonjës të Policisë së Shtetit, një që ka shërbyer në policinë kufitare, ndërsa tjetri ka mbajtur funksionin e përgjegjësit të sektorit ku ka shërbyer. Sipas prokurorit Mara, një prej zyrtarëve të policisë është proceduar për korrupsion, ndërsa tjetri si anëtar i grupit të struktuar kriminal. Nën hetim është dhe një avokat me zyrë në Durrës, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm në katër raste.

Gjatë operacionit të përbashkët është bërë e mundur të ekzekutohen 40 masa sigurimi, ndërsa të tjerët nuk është arritur të arrestohen. Në listën e të proceduarve është dhe administratori i një agjencie udhëtimesh në Fier dhe pronari i televizionit privat në Vlorë, që është sekuestruar.

Sipas Marës, disa prej drejtuesve të kësaj organizate kriminale janë arrestuar, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Organizata kriminale sipas SPAK, e ka qendrën në qytetin e Durrësit dhe ka tre nëndegë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili ishte i pranishëm në konferencë, deklaroi se në këtë operacion janë përfshirë 349 punonjës policie, të cilët i falënderoi për integritetin. SPAK nuk ngriti dyshime për ndonjë dekonspirim të mundshëm lidhur me dështimin e ndalimit të disa prej personave nën hetim.

(Reporter.al)

Comment

*