Tiranë, 31 mars 2024 – Në Shqipëri, besimtarët e krishterë katolikë festuan sot Pashkët në ceremoni të posaçme.
Besimtarët katolikë organizuan sot festime kushtuar Pashkëve, njërës prej datave më të rëndësishme të fesë së tyre.
Ata u bashkuan pranë objekteve të tyre të kultit duke uruar njëri tjetrin për ringjalljen e Krishtit, e duke medituar mbi këtë ngjarje themelor të besimit të tyre.
Në fjalën e tij para besimtarëve në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, Arkipeshkvi i Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit, Arjan Dodaj, bëri thirrje të rinjve që të mos braktisin vendin, si dhe institucioneve që të kujdesen për ta.
“Shqipëria, si një nënë, është e thirrur jo vetëm t’i ftojë të rinjtë të qëndrojnë, por veçanerisht t’i dojë fëmijët e vet, t’I mbajë fëmijët e vet, t’I mbrojë ata, si një shqipe mbron zogjtë e vet”, tha Arkipeshkvi Dodaj.
Ai u bëri thirrje besimtarëve që të mbajnë vëmendjen nga të varfërit dhe të pafuqishmit, sepse, siç tha ai, ndihma për këtë shtresë është shprehje e besimit të tyre.
“Të ndjekim Krishtin do të thotë të kesh dashuri pë rata që vuajnë, të kesh një zemër të vëmendshme për të varfërit, të kesh kurajo për të mbrojtur të tjerët kundër çdo lloj ideologjie, veçanërisht ato dominuese në kontekstin aktual”, tha Dodaj.
Drejtuesi i Arkipeshkvisë së Tiranës dhe Durrësit foli kundër dhunës në rajone të ndryshme të botës, ku ka edhe shumë viktima të pafajshme.
“Në këtë kohë fatkeqësisht shohim toka të shndërruara në toka fantazëm, në Ukrainë, në Rripin e Gazës, në akte të ndryshme të terrorizmit si në Moskë apo gjetkë, që sjellin vazhdimisht viktima të pafajshme”, tha Arkipeshkvi.
Shqipëria është e njohur për harmoninë ndërfetare në shekuj, ndërsa në të bashkëjetojnë komunitete të larmishme fetare, në një popullatë me shumicë në besimin musliman, si dhe me ndjekës të besimeve të tjera katolike, ortodokse, bektashi, të cilët asnjëherë nuk kanë shënuar incidente për shkak të fesë.
Besimi fetar ishte i ndaluar gjatë diktaturës komuniste për afro gjysmë shekulli, ndërsa gjatë tranzicionit mori një zhvillim të madh.
(Zëri i Amerikës)