Tiranë, 31 korrik 2025 – Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi të enjten kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit të vitit 2024 “Për Zonat e Mbrojtura”, i kritikuar gjerësisht edhe nga aktivistët mjedisorë se po vulos pa kthim dëmtimin e natyrës së mbrojtur.
Projektligji u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në shkurt të vitit 2024, duke i hapur rrugë ndërtimit të hoteleve luksoze dhe infrastrukturës së tyre mbështetëse në zonat e mbrojtura. Ai u paraqit fillimisht si nismë e disa deputetëve socialistë, por u ndryshua në minutën e fundit nga disa propozime të qeverisë. Mazhoranca socialiste e miratoi në mënyrë të njëanshme ligjin, pavarësisht kundërshtimit të organizatave mjedisore dhe delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.
Pavarësisht historikut problematik të ligjit, Gjykata Kushtetuese nuk ka gjetur shkelje të procedurës së konsultimeve publike apo të konventës së Aarhus-it gjatë miratimit të këtij ligji. Gjykata vendosi të shqyrtojë në themel pretendimet që lidhen me procedurën parlamentare që ka të bëjë me raportin shoqërues të projektligjit dhe konsultimin publik, por rrëzoi me shumicë votash pretendimin se ishte shkelur neni 56 i Kushtetutës.
“Në rastin në shqyrtim, nisma për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura është një nismë e deputetëve dhe pavarësisht faktit se ajo nismë ka pësuar ndryshime, ndër të tjera, bazuar në sugjerimet e Këshillit të Ministrave, ajo mbetet një nismë origjinale e deputetëve,” tha Gjykata Kushtetuese.
“Për këtë shkak, konsultimi publik i bërë nga Kuvendi në lidhje me draftin e paraqitur nga deputetët përmbush detyrimin e përcaktuar nga neni 56 i Kushtetutës dhe nuk cenon nenin 8 të Konventës së Aarhus-it, e cila, për sa më sipër, nuk gjen zbatim për Këshillin e Ministrave në përgatitjen e sugjerimeve të tij për ligjin, për sa kohë kjo nuk ishte një nismë ligjore qeveritare,” shtoi Gjykata.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vlerësuar njëzëri se kërkuesi nuk kishte sjellë argumente kushtetuese për të mbështetur pretendimet se ligji cënonte barazinë përpara ligjit, parimet e shtetit të së drejtës dhe hierarkinë e akteve normative. Qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë më pas në shqyrtimin e pikave të tjera, pa bërë një shumicë prej 5 anëtarësh.