Në Shqipëri, gratë aktiviste përballen me gjuhë seksiste dhe urrejtje në internet

Tiranë, 6 nëntor 2023 – Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, prezantoi të shtunën gjetjet e studimit me titull “Sfidat e grave mbrojtëse të të drejtave të njeriut në internet”, studim i cili hedh dritë mbi tentativat e censurimit dhe abuzimeve në sferën online ndaj grave aktiviste në vendin tonë.

“Gjuha e urrejtjes online ndaj këtyre grave u evidentua si problem kryesor, ku 55.2% raportojnë gjuhën seksiste dhe gjuhë të urrejtjes si shkeljen kryesore,” tha Sara Kelmendi, njëra prej hulumtueseve të studimit të IDM-së.

Studimi i zhvilluar nga IDM me mbështetjen e Qendrës së Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë dhe Zyrës së Jashtme të Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar u krye në formën e një pyetësori online me 109 gra aktiviste dhe mbrojtëse të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Studimet e kryera në Ballkanin Perëndimor tregojnë se gratë aktiviste të të drejtave të njeriut hasen dhe punojnë nën kushtet e një klime jo miqësore, teksa në Shqipëri më të rrezikuara janë aktivistet që mbrojnë viktimat e trafikimit të dhunës, si edhe ato në mbrojtje të anëtarëve të komunitetit LGBTQ+.

Studimi thekson gjithashtu se shkeljet e privatësisë, kërcënimet dhe bullizmi janë fenomene të tjera që prekin gratë aktiviste në Shqipëri.

“83% e të intervistuarave kanë raportuar se janë prekur të paktën një herë nga sulmet online në punën që ato bëjnë,”, thekson raporti.

Gjithashtu nga përgjigjet rezulton se platforma e raportuar më gjerësisht për kryerjen e këtyre sulmeve është ajo e “Facebook”, raportuar nga 62.4% e të intervistuarave, e ndjekur nga platforma “Instagram” e raportuar nga 19% e tyre.

Shqetësimi i përbashkët që ndajnë gratë aktiviste konsiston në mungesën e seriozitetit të trajtimit të këtyre rasteve që prekin jo vetëm personalisht gratë, por edhe performancën e tyre në punë.

“92% e të intervistuarave mendojnë se shkeljet dhe abuzimet online nuk trajtohen njëlloj me ato ‘offline’, duke theksuar se abuzimet në internet raportohen më pak dhe gjithashtu trajtohen me më pak seriozitet”, citojnë gjetjet e raportit.

Arsyet mbi këto abuzime ndaj grave aktiviste perceptohen të ndryshme nga pjesëmarrëset në sondazh. Disa prej tyre shohin si arsye kryesore profesionin dhe vetë aktivizmin, ndërsa të tjerat raportojnë se shkaku i sulmeve është me bazë gjinore, apo ka të bëjë me përkatësinë etnike.

(Reporter.al)