Tiranë, 27 korrik 2024 – Kuvendi i Shqipërisë, të premten në mbrëmje vonë, i miratoi disa ndryshime në Kodin Zgjedhor, me të cilat mundësoi për herë të parë edhe votimin e diasporës në zgjedhjet parlamentare.
Ndryshimet u miratuan me 106 vota për, 2 vota kundër, ndërsa pjesa tjetër e deputetëve u larguan para votimit.
Me këto ndryshime, një e treta e listës së kandidatëve për deputetë do të jetë e mbyllur dhe zgjedhja e tyre do të jetë ekskluzivitet i kryetarit të partisë, ndërkaq kandidatët tjerë duhet të fitojnë qoftë edhe një votë më shumë për t’u zgjedhur deputetë.
Ndryshimet i përcaktojnë edhe kuotat gjinore. 30 për qind e fituesve në listën preferenciale do të jenë gra.
Kryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, prezantoi para Kuvendit ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ndër të tjera, ai e shpjegoi procedurën që parashihet p٥r votimin e diasporës.
“Zgjedhësi do të regjistrohet në listën e veçantë të zgjedhësve. Dokumentacioni i regjistrimit do të përmbajë çdo informacion të nevojshëm që vërteton identitetin e zgjedhësit dhe adresën e qëndrimit në vendin ku jeton. Gjithçka do të realizohet në një platformë elektronike që do të ndërtohet nga KQZ-ja, që dërgon me postë materialet, udhëzuesit dhe fletët e votimit. Vota do të llogaritet në qarkun ku ka pasur vendbanimin e fundit”, tha ai.
Një pjesë e deputetëve në opozitë i kundërshtuan këto ndryshime. Mes tyre ishte edhe Lulzim Basha. Ai tha se miratimi i ndryshimeve është pazar politik mes ish-kryeminstrit Berisha dhe kryeministrit aktual Edi Rama. Sipas tij, pazari mes Berishës e Ramës ka nisur me amnistinë penale, e cila u miratua kohë më parë, pastaj me vendimin e Gjykatës së Apelit që vulën e Partisë Demokratike ia kaloi Berishës.
Gjinkuri i hodhi poshtë këto kritika, duke i krahasuar ndryshimet aktuale në Kodin Zgjedhor me ndryshimet e vitit 2008.
Në seancën e së premtes, e cila zgjati deri natën vonë, u miratuan 19 projektligje dhe 5 projektvendime, mes të cilave edhe Propjektligji për Prodhimin dhe Tregtimin e Armëve, i cili i hap rrugë ringjalljen e industrisë ushtarake në Shqipëri.
Kjo ishte seanca e fundit për këtë sesion parlamentar. Në mbyllje të saj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, noftoi për dorëheqjen e saj nga kjo pozitë, për arsye shëndetësore.
(r.m.)