Në Shqipëri, nisin “Ditët e Kujtesës” për krimet e komunizmit

Tiranë, 19 shkurt 2023 – Dhjetë Ditët e Kujtesës nisën të shtunën në mbrëmje nga Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, në qytetin e Shkodrës, me një ceremoni ku merrnin pjesë ish të burgosur politikë dhe familjarë të tyre, zyrtarë vendorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri.

Ditët e Kujtesës organizohen nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer”. Drejtoresha e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole, tha se zhvillimet e vitit të kaluar me agresionin rus në Ukrainë dëshmojnë se sa i rëndësishëm është ballafaqimi me të kaluarën komuniste.

Moto e Ditëve të Kujtesës së këtij viti është “Mësimet që nuk i nxorëm nga e shkuara”. Kjo moto është aktuale sidomos një vit pas agresionit rus në Ukrainë “sepse na bën të kuptojmëse në ato vende ku nuk pati ballafaqim me të shkuarën, në çdo moment mund të rrezikohet paqja dhe stabiliteti sikurse po e shikojmë sot jo shumë larg nesh, në Evropë”.

I pranishëm në nisjen e Ditëve të Kujtesës, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Guido De Sanctis, tha se nga viti 2015 OSBE ka nisur përpjekjet për të filluar një dialog kombëtar, sidomos me të rinjtë, për krimet e komunizmit në Shqipëri.

Ambasadori i OSBE tha se është e nevojshme që edhe në Shqipëri të ketë një vend, një memorial dhe një ditë përkujtimore për të kujtuar të shkuarën komuniste dhe krimet e periudhës së diktaturës. Është diçka që vendet e tjera ish komuniste në Europë e kanë bërë prej kohësh, tha ai.

Në hapjen e Ditëve të Kujtesës u çel edhe një fotoekspozitë me burgjet politike dhe kampet e përqëndrimit në vendet e ish kampit socialist, përfshirë edhe Shqipërinë, ku u burgosën, torturtuan dhe u vranë me mijëra kundërshtarë politikë.

Për drejtoreshën e Institutit, Jonila Godole, edhe pas më shumë se 30 vitesh nga rrëzimi i komunizmit në Shqipëri, përpjekjet për dekomunistizimin e vendit duhet të vazhdojnë pasi rreziku i rikthimit është i vazhdueshëm.

“Shenjat e diktaturës, të autoritarizmit, të mënyrës së ngushtë të të menduarit, të adhurimit të kultit të individit dhe shumë të tjera i gjejmë ende edhe sot e kësaj dite. Kështuqë, të gjithë duhet të punojmë që brezi i ri t’a njohi të shkuarën për të kuptuar të tashmen dhe të mos i përsërisim në të ardhmen”, tha ajo.

Pas Shkodrës, Ditët e Kujtesës do të vazhdojnë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Ato synojnë të mbajnë gjallë debatin shoqëror dhe kujtesën mbi pasojat e regjimit komunist në Shqipëri.

(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)